Përmes një postimi në Facebook koordinatori i LSI për Tiranën, Aldi Fusha shkruan se koncesioni i ri i kolaudimit të automjeteve me vlerë 20 miliardë lekë është një çmenduri.

Fusha shkruan se më 25 prill do të votohet për t’i dhënë fund monopoleve dhe për t’i rikthyer qytetarëve pronën publike.

Ai shton se u duhet thënë mjaft koncesioneve që i kanë pirë gjakun popullit e i kanë “ngrënë dhjamin” buxhetit të shtetit.

Postimi i Fushës:

Kryeministri 3D dhe nje koncesion i ri “i çmendur” 20 miliarde leke. Të dashur miq,

në fund të këtij viti përfundon koncesioni i kolaudimit të automjeteve. Ministria e Infrastrukturës ka urdhëruar kompaninë koncesionare SGS që të transferojë në pronësi të shtetit, Qendrat e Kontrollit Teknik të automjeteve. Rikthimi i aseteve në shtet, duket në pamje të parë një lajm i mirë. Por, një vështrim mbi buxhetin e vitit 2021, nxjerr në pah planin e qeverisë për një koncesion të ri me vlerë 200 milionë USD për kolaudimin e automjeteve. 

Sipas skemës së qeverisë, kolaudimi do të bëhet nga disa kompani, duke dhënë idenë e liberalizimit të tregut. Kleçka qëndron se të gjitha këto kompani do të licencohen nga një kompani monopol, e cila sipas buxhetit 2021 do të paguhet 20 miliardë lekë të reja ose 200 milionë dollarë. Sot, kryeministri 3D që qeveris pa plan, ka vënë një status në rrjetet sociale ku lajmëron se procesin e kolaudimit të automjeteve do ta kryejë shteti.

Eshtë ende e paqartë çdo të ndodhë me zërin 200 milionë dollarë në buxhet, por ky është një rast konkret që nxjerr zbuluar mënyrën si qeveriset vendi.

Në letër bëhen plane të mëdha, të cilat anulohen me një status “Facebook”-u. Por, të nderuar miq, edhe kjo nuk është e sigurt. Dyshimi është se “kolaudimi në shtet” është vetëm një truk paraelektoral i Ramës. Duke parë reagimin e madh ndaj koncesioneve gropë PPP të cilat e fundosën ekonominë tonë, kryeministri 3D po bën një hap taktik prapa. Por, PPP-ja është në buxhet dhe sigurisht në mendjen dhe xhepin e Edi Ramës. 

Të nderuar miq, kryeministri 3D nuk do të arrijë kurrë të bëjë realitet projektin e tij për koncesionin e çmendur 200 milionë dollarë për kontrollin teknik të mjeteve.

Më 25 prill votojmë për t’i dhënë fund monopoleve! Më 25 prill votojmë edhe për t’i rikthyer qytetarëve pronën publike. Mjaft më me koncesione që i kanë pirë gjakun popullit e i kanë “ngrënë dhjamin” buxhetit të shtetit.

Me referendumin e 25 prillit i kthejmë paratë e grabitura popullit!