Aktorët e teatrit të Korçës kanë sjellë një dimension krejt të ri të veprës “Pas Vdekjes” të Andon Zako Çajupit.

Për shkak të pandemisë aktorët, me regjinë e Hervin Culit e kanë mishëruar këtë vepër në mësënjtoren e Korçës në ambient të hapur.

Përveç aktrimit në këtë shfaqje nuk munguan as copëzat e vogla të muzikalit.

Pavarësisht se faktorët e ambientit të jashtëm ndikojnë negativisht nga ana teknike, regjisori e cilëson shfaqjen një sukses.

Hervin Çuli: ”Ne kemi bërë maksimumin për t’i kaluar këto vështirësi. Besoj ishte një pritje e mirë e publikut, dhe një shfaqje e dashur për ne. Për mua do jetë një kujtim nga më të bukurit e jetës sime.”

Vetë aktorët ndjehen shumë të lumtur që i janë rikthyer sërish skenës.

Kristian Koroveshi: ”Sot jam ndjerë së pari i gëzuar, se i jemi rikthyer punës, në këtë moment thuajse historik për teatrin, të vështirë. Për ne sot është një moment gëzimi, moment feste.”

Silvio Goskova: ”U ndjemë mirë, unë u ndjeva mirë.”

Paola Kodra: ”Jemi shumë të emocionuar. Të gjithë e ndjemë që publiku e priti shumë mirë. Pavarësisht ambientit që ishim jashtë dhe kishim frikë se si do të adaptoheshim, por në fakt shkoi shumë mirë.”

Shfaqja do të rivendoset në skenë edhe 2 ditë të tjera për shkak të interesimit të lartë të publikut artdashës korçar.