Policia e Korçës ka ndëshkuar me 100.000 lekë gjobë, pronarin e një restoranti në rrugën nacionale Boboshticë-Dardhë.

Restoranti u konstatua duke organizuar ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar 1 restorant në rrugën nacionale Boboshticë-Dardhë, i cili kishte organizuar një ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar kufizimin e përcaktuar nga Policia e Shtetit. Për subjektin në fjalë, me pronar shtetasin A. T., 54 vjeç, banues në fshatin Boboshticë, Korçë shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 100.000 lekë.” – njofton policia.

Policia e Korçës apelon për të gjithë pronarët/ administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.