Arrestohet në flagrancë një 21-vjeçar i cili vidhte në objekte kulti, lokale dhe në qendrën shëndetësore në Koplik.

Sekuestrohen sendet e vjedhura në objektet e kultit dhe zbardhen edhe katër vjedhje të tjera të kryera nga ky shtetas.

“Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë si dhe kapjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë së Malësisë së Madhe, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për një të ri, i cili po kryente vjedhje në objektet e kultit dhe në lokale në Koplik, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kopliku”. Si rezultat i operacionit të mirëorganizuar u bë e mundur kapja dhe  arrestimi në flagrancë i shtetasit Ernest Fsharr, 21 vjeç, banues në fshatin Koplik i Sipërm.” – njofton policia.

Ky shtetas gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme në qytetin e Koplikut, kishte vjedhur në Kishën Katolike sende që përdoren për kryerjen e meshave.

Gjithashtu në orët e para të mëngjesit të sotëm, në fshatin Gruemirë Çezme, kishte vjedhur në lokalin  në pronësi të shtetasit G. P., si dhe në fshatin Koplik i Sipërm kishte vjedhur xhaminë e fshatit ku kishte vjedhur një sasi vlere monetare rreth 10.000 lekë.

Ky shtetas është autor edhe i disa ngjarjeve të ndodhura në fshatin Koplik i Sipërm konkretisht:

Më datë 03.01.2020, në fshatin Koplik i Sipërm, ka vjedhur me thyerje qendrën shëndetësore të këtij fshati.

Më datë 12.01.2020, në fshatin Koplik i Sipërm, ka vjedhur me thyerje lokalin e shtetasit R. N.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vazhdon puna për zbulimin e ngjarjeve të tjera ku mund të jetë i implikuar ky shtetas.