Për mjekun urolog Artan Koni, dy janë pikat ku ka çeduar vendi në lidhje me menaxhimin e situatës së pandemisë, Covid-19: testimi dhe gjurmimi, sipas të cilit, janë bërë mangut.

I ftuar në ”RTV Ora”, Koni u shpreh se numri i testeve duhet të jetë 10 herë më i lartë se numri i pacientëve pozitivë.

Artan Koni: ”Jemi në një fakt të kryer, sepse kemi çeduar në disa pika që në fillimin e pandemisë. Pikat kryesore ku kemi çeduar ka qenë testimi dhe gjurmimi, të cilat i kemi bërë mangut. Tani po testojmë më shumë se në fillim. Më parë testonim diku te 200 raste në ditë në muajin mars, sot testojmë rreth 500. I kemi rritur testet por jemi akoma shumë mbrapa, jo vetëm nga vendet e rajonit, por edhe statistikisht në aq teste sa duhet të bënim. Edhe sikur mos t’i shohim vendet e rajonit, ka një numër të përgjithshëm, mesatare 10%, që do të thotë se numri i testeve duhet të jetë 10 herë më i lartë se i pacientëve pozitive. Kishim 117 pacientë pozitivë? Duhet të kishim bërë minimumi 1,170 teste.”

Intervistoi në studio Beti Njuma, përgatiti për online Renato Çaushi.