Një koncert rrok me spektatorë që qendrojnë në makinat e tyre duke respektuar masat anti-Covid. Shfaqja e veçantë dhe për herë të parë u mbajt në Argjentinë, ku interpretoi një grup i famshëm rroku.

Për herë të parë që nga shpërthimi i pandemisë, argjentinasit shijuan një koncert rroku, por nga makinat dhe tyre dhe me protokolle të rrepta shëndetësore.

Muzikanti Coti Sorokin dhe banda e tij Los Brillantes performuan këngë nga repertori i tyre, në brigjet e lumit La Plata në periferi të kryeqytetit Buenos Aires.

Coti interpretoi “Out There”, një këngë që ai e përshkroi si himnin e tij të “karantinës” pasi ishte kompozuar dhe regjistruar gjatë periudhës së izolimit.

Koncerti zgjati një orë e gjysmë, me kapacitet për 60 makina, ndërsa duartrokitjet u zëvendësuan me bori makinash dhe dritat e ndezura të celularëve.

Gjatë performancës, Coti zbriti nga skena për të kënduar para makinave, por mbajti një distancë të sigurt në përputhje me rregullat shëndetësore të vendosura nga komuna e San Isidro.

“Është emocionuese të jesh në gjendje ta shohësh drejtpërdrejt, të kesh një kontakt real dhe jo virtual. Është shumë e bukur, është një ide e shkëlqyer”, tha një nga të pranishmit.

Ndërsa një tjetër fanse u shpreh: “Jemi shumë të lumtur. Cotin e dua shumë, muzika e tij është e pabesueshme, kështu që kjo është një kënaqësi totale”.

Në zbatim të rregullave, të pranishmit iu nënshtrohen kontrolleve të temperaturës dhe qëndruan në automjetet e tyre.

Organizatori i koncertit, Marcelo Mazzini tha Reuters se kjo ishte shfaqja e parë që nga shpërthimi i pandemisë dhe së shpresonte që kjo të ndihmonte në rigjallërimin e industrisë së dëmtuar të muzikës.