Kompania që solli 143 kg kokainë në listë të zezë prej 4 vitesh, një ditë më pas u krijua firma e Selim Çekajt

Kompania që solli 143 kg kokainë në listë të zezë

 Dy personat e arrestuar për ngarkesën me 143 kilogramë kokainë të kapur në kontejnerët e bananeve në portin e Durrësit më 10 prill kanë mohuar akuzën duke pretenduar se  nuk kanë dijeni. Por prokuroria thotë se kompania e tyre ishte në listën e zezë që prej vitit 2018 kur u krijua me dyshimet se do përdorej për trafikim narkotikësh. Verifikimet e kryera në portin e Durrësit kanë zbuluar se pakot e kokainës së mbërritur nga Ekuadori ishin mbështjellë me një shtresë alumini për ti bërë të pa dukshme për skanerat e porteve ku kaluan kontejnerët. 

Tirane- Hetimi paraprak i nisur nga Krimet e Rënda që prej vitit 2018 ka zbuluar ngarkesën e fundit me 143 kg kokainë që u kap në kontejnerët e bananeve në Portin e Durrësit më 10 prill pas mbërritjes nga Ekuadori.

Kompania "Massabi Fruits" me administrator shtetasit Erion Peti dhe Klajdi Xibraku, e cila kishte porositur kontejnerët me banane ku u gjet lënda narkotike ishte regjistruar në QKR më 20 mars 2018 dhe prej atij momenti, prokuroria kishte nisur një hetim ndaj saj duke e vendosur në listën e zezë si të dyshuar për trafikim kokaine.

Për këtë arsye duket se të gjitha ngarkesat me banane të sjella nga ky subjekt në Shqipëri janë kontrolluar dhe mbajtur në monitorim në mënyrë të kujdesshme me dyshimet se brenda ftutave mund të kishte lëndë narkotike.

Një informacion operativ i mbërritur nga jashtë Shqipërisë bazuar në monitorimin e vazhdueshëm që u bëhej ngarkesave të "Masabi Fruits" duket se ka qenë edhe shkak i zbulimit të ngarkesës me kokainë. Hetuesit zbuluan më 10 prill në portin e Durrësit se pakot me 143 kg kokainë ishin mbështjellë me një shtresë metalike alumini e cila synonte ti bënte ato të padukshme për skanerat ndërkufitarë.

Të arrestuarit Erion Peti dhe Klajdi Xibraku kanë mohuar akuzat duke thënë se nuk kanë dijeni për kokainën ndërkohë që kishin porositur vetëm ngarkesën me fruta.

Megjithatë policia e prokuroria dyshojnë pasi ata kanë hapur kompaninë Masabi Fruits më 20 prill 2018 ndërkohë që një ditë më vonë është regjistruar edhe subjekti Exoalmax me pronar shtetasin Selim Çekaj, i cili u arrestua më 1 prill të këtij viti pasi 49 kg kokainë u gjetën në ngarkesën me bananë të porositur nga kompania e tij.  Selim Çekaj është babai i biznesmenit Arbër Çekaj, pronar i kompanisë tjetër "Arbri Garden" e cila kishte porositur kontenjerët me banane ku u zbuluan 613 kg kokainë në shkurtin e vitit 2018 në portin e Durrësit dhe në magazinat e subjektit në Maminas.

Nga viti 2018 në portin e Durrësit janë sekuestruar në total rreth 942 kg kokainë e cila vintë nga Amerika Latine.

EMISIONET