Data e zgjedhjeve po afron dhe partitë politike kanë filluar të lëvizin për përgatitjen për fushatë.

Kryeministri Rama kërkon një mandat të tretë teksa këtë të mërkurë (9 shtator) në mbledhjen me shtabin elektoral u ka kërkuar fitoren e 74 mandateve përpara drejtuesve politik.

Por gazetari Bledian Koka nuk beson në një 4-vjeçar tjetër për këtë qeverisje. Në një intervistë për Ora News ai thotë se 25 prilli do të shërbejë si një referendum për të larguar qeverinë aktuale.

Madje Koka u shpreh se opozitës i duhet bërë presion për të shpalosur planin e tyre për të dalë nga kjo situatë.

Koka: Unë mendoj që data 25 prill të shërbejë si një referendum i cili nuk lejohet si koncept në Shqipëri. Nuk lejohen përveçse në ato raste të veçanta atëherë kur i intereson qeverisë. Ajo ditë mund të shfrytëzohet si referendum për largimin e kësaj qeverie një orë e më parë. Sot ka ardhur koha që opozitës t’i bëhet presion i shëndoshë që nga ky moment deri në prill ata duhet t’i tregojnë qytetarëve shqiptarë se si duhet të dalim nga kjo situatë shkatërrimtare. Sot ka thuajse një vit nga tërmeti dhe banorët që u janë dëmtuar shtëpitë marrin vetëm premtime, që jetojnë në çadra. Si do jua shpjegoj nxënësve shqiptarë që premtimin që u ka bërë se shkollat e dëmtuara do të jenë gati në shtator kur ai pak ditë më parë shkoi dhe inspektoi fillimin e punimeve të një shkolle në Durrës. Me keq se kaq nuk di se çfarë mund të bëj.

Koka thotë se e vetmja mënyrë që Rama të fitojë një mandat të tretë është nëpërmjet bandave kriminale dhe blerjes së votës siç ka bërë më parë.

Koka: Nëse do të zgjidhte të njëjtën rrugë siç bëri në 2017 nëpërmjet bandave kriminale dhe blerjes së votës atëherë sa herë që të zhvillohen zgjedhje aq herë do të humben. Unë mendoj që ndryshe nga zgjedhjet e kaluara mendoj që në 2021, do të jetë e vështirë për Ramën që të marrë një mandat të tretë.

Gjithashtu Koka solli në vëmendje dhe akuzat e Partisë Demokratike pak ditë më parë në lidhje me ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Sipas selisë blu, Shqipëria sërish ka dalë e humbur nga Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar përballë një kompanie greke, e cila ishte e detyruar të largohej nga vendi ynë për shkak të presioneve nga miku i Taulant Ballës.

PD thotë se fatura që do të paguajnë qytetarët shqiptarë është 44 mln euro, ndërsa Koka shtron pyetjen se sa është fatura që duhet të paguajmë për Ramën.

Koka: Rezervat mund të jenë vetëm për qeverinë pasi opozita ka hequr dorë nga çdo lloj pushteti. Një qeveri që nuk dëgjon është shumë e vështirë që të bashkëpunosh. Çështjet me një qeveri të tillë mund t’i zgjidhim vetëm nëpërmjet votës. Rama i ka mashtruar ata për ditë. I ka mashtruar për shëndetësinë falas. Gjendja është rënduar nga koronavirusi ku ne çdo ditë humbim jetë si pasojë e saj. Ne jemi në këtë situatë pasi qeveria vendosi që 110 mln euro që nëse sot do të ishin në shërbim të shëndetësisë do të shpëtonim jetë njerëzore në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe nuk jua dha qytetarëve shqiptarë por ia dha vetëm 1 qytetari. Imagjinoni se çfarë ndodh me këto tendera korruptivë. Vetëm para pak ditësh mësuam që për shkak të një miqësie që numri 2 i PS, Taulant Balla ka me një biznesmen të dënuar për drogë, Edmond Bego, kompanisë që iu dha plotësimi i punimeve të rrugës Tiranë-Elbasan për shkak të prishjes së njëanshme të kontratës me kompaninë greke sot duhet të paguajnë 44 mln euro për rrugën për shkak se qeveria vendosi të dorovisë miqtë e Taulant Ballës. Kaq para i kemi dorovitur vetëm me Ballën, imagjino se çfarë i ka kushtuar kësaj qeverie me Edi Ramën, Ilir Beqaj e Arben Ahmeti për të kuptuar se kush është problemi.

Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti online Endi Mullaj