Situata në Shqipëri me zjarret është serioze. Vetëm sot janë regjistruar shumë vatra të reja ndërkohë që në disa qytete të ndryshme, flakët kanë lënë dëme kolosale.

Mbrëmjen e kësaj të marte (15 shtator), kodrat e Korçës janë përfshirë nga një zjarr i madh.

Një sipërfaqe e madhe shkurresh është djegur.

Zjarrëfikësit po punojnë për shuarjen dhe izolimin e flakëve për të mos u përhapur më tej.

Ndërkohë situata në Lezhë paraqitet serioze pasi një zjarr që ka përfshirë masivin pyjor të fshatit Manati në Lezhë prej mesditës së sotme ka marrë përmasa të frikshme me kalimin e orëve.

Në terren ndodhen zjarrfikësit e Lezhës, Kurbinit e Vaut të Dejës, të cilët po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve dhe mbrojtjen e banesave.

Situata konsiderohet kaotike dhe kërkohet ndërhyrje nga ajri.

“Situata është shumë kritike, 5-6 shtëpi të rrethuara nga flakët. Zjarrfikëset e kanë të vështirë për të shuar zjarrin. Kam njoftuar kryeministrin dhe të gjithë, ka neglizhencë. Duhet të ndërhyjnë nga ajri, shpresoj të mos ketë dëme në njerëz” tha me shqetësim ish-deputeti Eduart Ndocaj, që është edhe banor i fshatit.