Partia Socialiste është e vendosur të votojë të hënën në parlament në mënyrë të njëanshme  ndryshimet në kodin zgjedhor për heqjen e koalicioneve parazgjedhore.

Nga selia rozë, kryesocialisti Edi Rama e bën të qartë se nuk kërkon më kompromis me PD, por i interson vetëm të bëjë 84 vota.

Rama: Nesër në parlament do të kalohet. Shumica kushtetuese është ajo që vendos në fund të ditës. Mjafton të marrë 84 vota dhe është ligj. Nuk e vë dot në diskutim askush.

Shkelja e marrëveshjes së 5 qershorit ka tensionuar më shumë marrëdhëniet mes presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama.

Madje lideri i mazhorancës paralajmëron edhe përshkallëzim të qëndrimit të Kreut të Shtetit.

Rama: Ilir Meta është kryetari i Shtabit Elektoral të opozitës që përdor për këtë zyrën e Presidentit të Republikës.

Nga votimi i i ndryshimeve të njëanshme në Parlament, sipas Edi Ramës, ka vetëm një humbës.

Rama: Më i mërzitur nga të gjithë është Ilir Meta që do ti humbë zgjedhjet në mënyrë shembullore këtë radhë. Çfarë do më shumë ky njeri që nuk rri rehat një sekondë të vetme dhe vetëm mendon sesi të nxisë sherr dhe rrëmujë për të përfituar si i treti, i vërteti.

Pas këtyre deklaratave ka reaguar edhe zyra e presidencës duke i kërkuar atij të respektojë marrëveshjen e 5 qershorit, pasi sipas tij Ilir Meta para se të jetë President dhe opozitar, në radhë të parë është shqiptar.

Por Rama nuk është mjaftuar vetëm më Kreun e Shtetit, por i mbylli derën edhe Bashës për një bashkëpunim të mundshëm pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Rama tregoi edhe se cili do të jetë vendimi i tij nëse nuk e çon PS drejt fitores së mandatit të tretë.

Rama: Ditën që shqiptarët nuk do të më besojnë mua që të jem në rolin e Kryeministrit do t’u them puna e mbarë atyre që do të marrin stafetën.

Kryesocialisti Rama dhe Sekretari i Përgjithshëm Balla prezantuan platformën digjitale, i cili i jep mundësi deri në fund të nëntorit anëtarësisë së PS për të vlerësuar deputetët aktualë në zonat e tyre zgjedhore.

Ndryshimet në Kod, Rama: Në këtë proces kemi qenë shërbëtorë

Gjatë prezantimit të Platformës Online për bashkëbisedim në PS, kryeministri Edi Rama foli edhe për ndryshimet kushtetuese dhe për Kodin Zgjedhor.

Sipas tij, PS në këtë proces ka qenë shërbëtor i të tjerëve.

Rama: “Në këtë proces kemi qenë shërbëtor të përulur të të tjerëve. E them me plot gojën. Kemi bërë atë që se ka bërë asnjë parti e madhe, as PD e as PS në gjithë këto vite, duke qenë shërbëtorë të një procesi ku përveç opozitës brenda parlamentit kemi shërbyer edhe për një opozitë tjetër jashtë parlamentit. Të gjithë kanë marrë më shumë, shumë më shumë se sa ne nga ky proces në sensin e asaj që kanë dashur.

Ne nuk kemi marrë çfarë kemi dashur nga ky proces dhe nuk ka në ligjin e ri elektoral asgjë që është aty sepse duam ne. Ka aty gjëra që janë sepse kështu e do opozita jashtë parlamentit apo brenda parlamentit, por je se duam ne. Ka një moment për t’i dhënë fund diskutimeve, aq më tepër që dy palët tërheqin nga vetja. Kjo s’mund të ndodhë.

Nuk mund t’i akomodojmë të dyja palët. Njëra palë do komisionin zgjedhor politik, tjetra palë jo politik. Dhe ne jopolitik i donim por i shërbyem opozitës jashtëparlamentare dhe i thamë dakord. Njëra palë do t’i hapë listat sipas idesë së vet dhe pala tjetër do të mbajë koalicionet sipas idesë së vetë. Këto nuk mund të pajtohen të gjitha bashkë.

Dhe ne që mund të kishim ushtruar patjetër peshën tonë, dakord ne duam bonusin për partinë e parë. Dmth garanton stabilitetin e qeverisjes duke pasur të drejtën e të parit, kështu që ne nuk e kërkuam dhe nuk e morëm. Nesër në parlament do votohet. Do ishte mrekulli që 100% e partive të ishin dakord 100% por nuk ndodh.

Në Greqi kryeministri Cipras përdori shumicën e vet për të ndryshuar kushtetutën në mënyrë të njëanshme. Një ligj elektoral e ndryshoi kryeministri tjetër po me shumicë qeverisëse. Shumica që vendos dhe vulos është shumica kushtetuese në fund të ditës.

Të tjerat nuk kanë më asnjë vlerë. Mbaj peng procesin me muaj e vite, me idenë që po nuk votova unë nuk kalon, nuk funksionon. Në jetë vetëm kalamajtë e vegjël nuk mbajnë përgjegjësi dhe nuk marrin kostot për veprimet e tyre. Të gjithë që janë në moshën e pjekurisë marrin përgjegjësi për veprimet e tyre”.