Partia Demokratike ka reaguar nëpërmjet Gazment Bardhit për refuzimin e apelit të eurokomisionerit Oliver Varhelyi nga Edi Rama.

Bardhi ka ngritur pyetjen së përse kryeministri ka frikë nga Komisioni i Venecias, teksa ka shtuar se ky refuzim është dëshmi që për PS interesi i mafias është mbi interesin e Shqipërisë.

“Edi Rama duhet të shpjegojë pse ka frikë nga ekspertiza e Komisionit të Venecias dhe pse i trembet zgjedhjeve demokratike sipas standarteve europiane.

Shqiptarët nuk i kanë borxh Edi Ramës pengmarrjen e Shqipërisë.

Refuzimi brutal i Edi Ramës ndaj apelit të Komisionerit për Zgjerimin në BE z. Oliver Varhelyi është një tjetër dëshmi që për Partinë Socialiste interesi i mafias është mbi interesin e Shqipërisë. Asnjë Kryeministër më parë nuk ka vënë në rrezik integrimin europian të Shqipërisë dhe nuk ka sfiduar hapur Bashkimin Europian për llogaritë e tij politike të ditës”, shkruan Bardhi.

Oliver Varhelyi, i bëri thirrje parlamentit të mos ndërmarrë asnjë veprim për Kodin e ri Zgjedhor përpara se të japë një përgjigje komisioni i Venecias. Kjo thirrje u refuzua nga Kryeministri Edi Rama, i cili tha se ndryshimet e Kodit Zgjedhor do të votohen në Parlament pa pritur Komisionin e Venecias.