Misioni i ODIHR-it është i gatshëm të ofrojë ekspertizën e tij për mazhorancën e opozitën sa i përket listave dhe koalicioneve, por më parë ky mision pret të njihet nga palët me punën e arritur deri më tani. Në përgjigje të interesimit të Ora News zëdhënësja e misionit shpreh mbështetjen për Këshillin Politik.

OSBE/ODIHR është i gatshëm të japë ekspertizën për çështjet e mbetura pezull në Këshillin Politik.

Duke ju përgjigjur interesit së Ora News, zëdhënësja e kësaj organizate, Katya Andrusz shprehet se ekspertët e ODIHR janë të gatshëm të ndihmojnë palët politike sapo të marrë kërkesë të detajuar mbi çështjet për të cilat nuk është gjetur dakordësinë.

Siç jeni në dijeni ODIHR-i mbështeti punën e Komisionit të posaçëm parlamentar dhe Këshillit Politik këtë verë para se të miratoheshin ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ne gjithashtu jemi të gatshëm të vazhdojmë të mbështesim Këshillin dhe jemi në pritje për të marrë detaje për zhvillimet e ardhshme të punës së Këshillit dhe se si ne mund të ofrojmë ekspertizë konkrete.”

Të hënën mbledhja e Këshillit Politik përfundoi pa konsensus pasi Damian Gjiknuri nuk pranoi kërkesën e opozitës së bashkuar për t’u drejtuar ODIHR-it për implementimin në Kod të listave të hapura dhe koalicionet parazgjedhore.

Sipas përfaqësuesit të PS-së, Këshilli politik mund t’i drejtohet ODIHR-it vetëm pasi të ketë një draft përfundimtar të dakordësuar mes Palëve.

Madje Gjiknuri u ka kërkuar PD dhe LSI-së që të premten në orën 10:30 të sjellin propozimet e tyre në takimin e ardhshëm.