Klubet e Kategorisë Superiore janë gati të bojkotojnë kampionatin, kjo pasi kërkojnë nga qeveria për të reflektuar lidhur me ndryshimet ligjore për sportin të realizuara deri më tani.

Gjatë mbledhjes së fundit me FShF-në dhe Ligën Profesioniste të Futbollit u konstatua se këto ndryshime nuk i japin zgjidhje kërkesave të 10 klubeve të Kategorisë Superiore dhe nuk përmbushin premtimet e bëra nga Qeveria shqiptare në tryezën e 11 marsit 2019.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Federata Shqiptare e Futbollit përmes një postimi në faqen e saj zyrtare.

Liga profesioniste e futbollit shqiptar kërkon nga qeveria plotësimin e disa kushteve ku ndër të tjera kërkojnë zerimin e gjobave dhe kamatë-vonesave për detyrimet fiskale të prapambetura për të shmangur kolapsin financiar të klubeve.

Kushtet e kërkuara:

1. Miratimin e një ligji të ri për sponsorizimet sipas formës së propozuar nga komuniteti i futbollit, pasi ndryshimet e propozuara nga qeveria nuk kanë asnjë efekt real mbi ekonominë e futbollit.

2. Përfshirjen e të gjitha aktiviteteve ekonomike të futbollit me TVSH-në e reduktuar në masën 6%, si bujqësia dhe turizmi dhe jo vetëm infrastrukturën sportive.

3. Zerimin e gjobave dhe kamatë-vonesave për detyrimet fiskale të prapambetura për të shmangur kolapsin financiar të klubeve.

4. Zgjatjen e efekteve të përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat për sportistët nga 2 në 10 vite.

Për sa më sipër, Liga Profesioniste e Futbollit vendosi, të bojkotojë kampionatin kombëtar të Kategorisë Superiore nga data 12 shtator e në vijim, deri në plotësimin e kërkesave te mësipërme.