Inxhinierët auditues të Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë nisur verifikimin e dëmeve në rrugën nacionale Llogara-Borsh të rikonstruktuar një vit më parë dhe që mirëmbahet nga kompania Salillari.

Për këtë aks firma ka një kontratë me shtetin në vlerën 13.7 milionë eurove.

Ekipi i punës i mbërritur në vendngjarje nga KLSH do të hartojë raportin përkatës në lidhje me procedurën e dokumentave por edhe me ndërhyrjet fizike që janë kryer apo jo në të.

Por ky nuk është rasti i vetëm që një rrugë në mirëmbajtje nga “Salillari pëson dëmtime.

Edhe në segmentin Vlorë Rradhimë si pasojë e reshjeve një pjesë e rrugës ka rrëshqitur duke përfunduar në hotelet e zonës.

Një prej pronarëve të hoteleve, shprehet se pjesa më e madhe e rrugës ka përfunduar në biznesin e tij duke i rrezikuar edhe jetën.

“Më është prishur puna. Habitem si e lënë se do bllokohet trafiku” thotë ai.

 Edhe pse kompania Salillari është paraqitur një ditë më parë në zonë, rruga ka rënë sërish.

“Erdhën sa për të larë fytyrën, hodhën ca zhavorr e më thanë që do vijnë”

Dëmtime u regjistruan edhe në aksin Rrëshen-Bukmirë, e cila ka shkarë në disa pika dhe ka pasur gjithashtu rrëshqitje dherash duke krijuar vështirësi në lëvizje.

Ky segment është rikonstruktuar në vitin 2017 nga Armandi shpk me një vlerë prej 2.5 milionë lekësh të reja.

Pas reshjeve të dëndura të shiut, shumë akse rrugorë janë dëmtuar, duke rrezikuar edhe qytetarë, ndaj KLSH pritet të verifikojë edhe disa procedura të tjera.