Erozioni i krijuar nga lumi Kir po kërcënon fshatin Bardhaj në Shkodër.Banorët atje janë të shqetësuar për shkak se institucionet nuk kanë marrë asnjë masë për të ndalur zemërimin e lumit që po u merr tokën.

I tillë është vërshimi  i ujrave të lumit Kir sa herë ka reshje në Shkodër (shiko videon).

Nga viti në vit ai ka gërryer sipërfaqe të mëdha toke bujqësore dhe tashmë po rrezikon rreth 100 shtëpi të fshatit Bardhaj në njësinë administrative Rrethina.

Banorët tregojnë se çdo ditë jetojnë me frikën se ujërat e rrëmbyeshëm mund t’u marrin pasurinë e një jete, ndërsa pamjet tregojnë se efekti i parë i gërryerjeve që vazhdojnë do të jetë në rrugën kryesore të fshatit.

“Po u rrit më tepër janë 100 shtëpi që janë poshtë, mund të bëhet zallë.”

” Sa herë rritet kemi frikë se po na hyn shtëpija.”

“Jemi largua 10 herë nga ky vend, te njerëzit tanë.”

Banorët bëjnë apel që të ndërhyhet sa nuk është vonë, pasi ndërsa i kthehen kujtimeve të këtyre 4 dekadave të fundit, ja dijnë fare mirë “inatin” lumit Kir.

“Kërkojmë ndihmë, po na lë pa rrugë.”

“Kemi mbetur në dyert e institucioneve për këtë punë.”

Institucioni që duhet të ndërhyjë në të tilla raste është bordi i kullimit në koordinim me emergjencat civile, por siç duket transferimi që qeveria i bëri bordit në Lezhë, sipas banorëve i kanë braktisur përballë zemërimit të Kirit.