Kinemaja lundruese është përvoja më e re për të parë një film në Londër. Të ndikuar nga pandemia, organizatorëve iu është dashur të përshtaten me normalen e re, duke promovuar kinemanë në ambient të hapur. Dhe për ta bërë më unike eksperiencën, audienca qendron në varka, në lumin e qytetit.

E keni menduar ndonjeherë të shihni një film duke lundruar? Kjo është eksperienca më e re e kinemasë në Londër që synon të nxisë rikthimin në normalitet të industrisë së filmit. Ideja është prezantuar në fillim të shtatorit dhe kërkon që shumica e audiencës të jetë në varka.

Në Kanalin Regents në qendër të Londrës, mbi 100 vizitorë të filmit mund të lundrojnë, të ankorohen dhe të shikojnë yje në ekranin gjigand të vendosur pranë lumit në Mbretërinë e Bashkuar. Në përputhje me udhëzimet e qeverisë, grupe me deri në gjashtë persona nga familje të ndryshme mund të qendrojnë në një varkë. Ata dëgjojnë përmes kufjeve për të shmangur zhurmën.

“Është një mënyrë e rehatshme, mendoj se të gjithë ndihemi të sigurt. Njëkohësisht mund të kalojmë kohë së bashku dhe të krijojmë kujtime në një mënyrë kaq unike,” tha një banor vendas.

“Shkova në kinema kohët e fundit për të parë një film me partnerin tim dhe ishte e çuditshme, largësia nga njëri tjetri dhe mbajtja e maskave. të Ndërsa kjo është një mënyrë e re për të parë filmin dhe më e sigurt”, tha një tjetër.

Kinematë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar u lejuan të rihapen në korrik, me rregulla të distancës sociale dhe mbajtje të detyruar të maskës. Organizatorët shprehen se nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të bëheshin krijues.

“Nga marsi, të ardhurat tona si kompani prodhimi ranë me rreth 95 përqind, kështu që industria jonë është goditur shumë rëndë. Pra, të gjithë ne jemi duke ideuar mënyra të reja për të mbijetuar”, tha Will Greenhalgh , bashkëthemelues i Kinemasë në ambient të hapur.

Mëgjithatë, ekziston shqetësime se me afrimin e dimrit, ngjarjet në natyrë si kjo jo vetëm që do të goditen nga përkeqësimi i motit, por edhe nga një valë e dytë e virusit.