Kina arreston pronarin e gazetës "Apple Daily", kritik i lidershipit kinez

Kina arreston pronarin e gazetës "Apple Daily", kritik i

Ligji i ri për sigurinë e Hong-Kongut ka shtënë në rrjetën e vet një nga figurat kryesore të lëvizjes për demokracinë e qytetit dhe kritike ndaj lidershipit të Pekinit.

Pronari i gazetës "Apple Daily", Xhimi Lai, u shoqërua të hënën me pranga në duar nga zyrat e punës me akuzën e koordinimit me aktorë të huaj shtetërorë për interesa antikombëtare.

Zyrat dhe redaksia e gazetës gjithashtu u bastisën nga qindra oficerë policie, ndërsa me të njëjtat akuza përballen edhe djali i tij dhe disa drejtorë të medies që ai drejton.

Biznesmeni i fuqishëm rrezikon tre vite deri burgim përjetë nëse autoritetet do provojnë se më herët ai ka kërkuar ndihmën e Uashingtonit dhe CIA-s në takime zyrtare për të mbështetur demonstratat antiqeveritare të vitit të kaluar, pretendime të cilat i ka hedhur poshtë.

Xhimi Lai është një prej personaliteteve kryesore të Hong-Kongut që bëhet objektiv i ligjit për sigurinë, që shumë qytetarë shohin se po shkel liritë e rajonit gjysmautonom dhe po shtyp zërat opozitarë.

"Nuk mendoj se policia duhet të veprojë kështu. Mbi të gjitha kur flitet për një organizatë mediatike, për liri të shtypit në Hong-Kong. Policia nuk duhet të hyjë në ambientet e medias."

"Është e paarsyeshme ta arrestosh dikë në befasi, kur përfaqëson edhe sektorin mediatik. Nuk mendoj të ketë kryer ndonjë krim ndaj sigurisë kombëtare. Ligji vetë e bën të qartë se nuk duhet ta përndjekësh dikë për të shkuarën, pra para hyrjes në fuqi të ligjit."

Arrestimi i biznesmenit në Hong-Kong vjen pak ditë pasi Uashingtoni vendosi sanksione ndaj kryeqeveritares dhe një sërë drejtuesve të qytetit për cënim të autonomisë së vendit.

Ligji për sigurinë kombëtare aplikohet në qytet nga 30 qershori dhe trajton rastet që kanë të bëjnë me përpjekjet për aneksim, rrëzim pushteti, terrorizëm dhe ndërhyrjet nga jashtë.

Që para ardhjes në fuqi të ligjit, disa kritikë të regjimit kinez janë larguar nga Hong-Kongu si azilantë politikë pasi rrezikojnë burgosjen në vendin e tyre.

Bota Kine arrestim i zerave kritike pronari i gazetes kritike

EMISIONET