Koreja e Veriut do të vazhdojë ta forcojë arsenalin e vet bërthamor, pavarësisht zotimeve të mëparshme me SHBA-në se do e ndërpriste zhvillimin e tyre.

Udhëheqësi koreano verior, Kim Jong-un, përmbylli të martën kongresin disaditor të Partisë së tij të Punës.

Plenumi shqyrtoi sfidat më të mëdha me të cilat përballet vendi i izoluar komunist, dobësitë ekonomike dhe progresin politik e shoqëror.

“Ndërsa forcojmë sistemet tona luftarake bërthamore, duhet të bëjmë ç’të mundemi për të ndërtuar ushtri më të fuqishme. Kemi dalë me masa vendimtare për të korrigjuar problemet e vjetra, të cilat nuk ishin në sinkron me realitetin në terren,” tha Kim.

Në ditët e mëhershme, Kim Jong-un e konsideroi SHBA-në pengesën kryesore për situatën ku gjendet vendi i tij  dhe armike të revolucionit komunist që ai kishte premtuar.

Disa samite me presidentin në ikje të Amerikës, Donald Trump, edhe pse afruan palët diplomatikisht, nuk arritën të zgjidhin problematikat kyç që për Washingtonin mbeten armatimi bërthamor i Koresë Veriore, dhe për Phenianin, heqja e sanksioneve të rënda ekonomike.

Çështjen pritet ta adresojë tani presidenti i zgjedhur amerikan, Xho Biden, i cili merr pushtetin më 20 janar.

Biden dikur e quante Kim Xhong-unin “bandit”, ndërsa Pheniani e ka quajtur presidentin e zgjedhur “qen të tërbuar që duhet rrahur për vdekje.”

Lideri i Koresë së Veriut i ka lënë, megjithatë, hapësirë dialogut nëse edhe pala tjetër përmirëson retorikën dhe marrëdhëniet me vendin e tij.