Ditën e dielë është festa e mësuesit, por në kushtet  e pandemisë është e vështirë që të festohet si në mënyrën tradicionale.

Festa e 7 marsit konsiderohet si një festë e veçantë ku çdo nxënës sheh nga sytë e mësuesit dhe mësuesi ndihet krenar për secilin prej tyre dhe për të gjithë brezat që ka nxjerrë.

A do të kemi një festë online këtë vit ashtu si edhe mësimi?

Në një intervistë për emisionin Ditë e Re në RTV Ora me gazetaren Anxhela Celibashi, drejtoresha e shkollës “Mihal Grameno” , Blerina Kosta na tregon se si do të zhvillohen festimet këtë vit.

“Ndryshe nga herët e tjera këtë vit do të kemi një festë ndryshe. Ashtu siç është zhvilluar dhe mësimi online, ndoshta këtë vit do të kemi një mini festë të vogël online. Fëmijët janë duke aktivizuar diçka të thjeshtë me njëri-tjetrin, duke përgatitur kartolina urimi për mësuesit e tyre dhe këto më vonë do të kalojnë online. Urimet do të jenë gjithmonë online,” thotë drejtoresha.

Duke qenë se 7 marsi këtë vit është ditën e dielë, fëmijët kanë përgatitur dhuratat e tyre simbolike, lulet, ditën e sotme.

“Fëmijët janë shumë entuziastë, por ndryshe nga herët e tjera jemi duke aktivizuar aktivitete të vogla nëpër klasa,” tha drejtoresha.

“Dhurata më e bukur është një lule, një përqafim por që në këto kohë është pak e vështirë.”

Të vegjlit kanë përgatitur edhe urimet e tyre të veçanta për mësuesit.

Unë do t’i uroja mësuese time një përqafim të fortë dhe një tufë të madhe me lule,” thotë Arba.

Amina thotë se ka dy dhurata për dy zysha.

“Unë kam marrë një trëndafil të kuq dhe një të bardhë edhe për zyshën tjetër që ta kuptojnë se unë i dua të barabarta,” thotë ajo.