Këshilli Shqiptar i Medias ka reaguar në lidhje me sulmin që i është bërë personalisht gazetares Sonila Meço.

Këshilli i referohet një shkrimi të datës 4 gusht në gazetën Tema me Autor Frrok Çupi ku sulmohet personalisht gazetarja Meço.

“Këshilli Shqiptar i Medias reagon me shqetësim ndaj klimës së sulmeve kundër gazetareve e gazetarëve nga kolegët e tyre me qëllim denigrimi. Sulme të tilla kanë qenë të herëpashershme dhe nuk kanë kursyer kolegë të rreshtuar nga të tëra anët, gra e burra, shqiptarë e të huaj. I fundit në këtë listë është sulmi ndaj gazetares Sonila Meço botuar në gazetën Tema me 4 gusht 2020 me autor z. Frrok Çupi. Sulmi, dukshëm me natyrë personale dhe ad hominem është në shkelje flagrante me Kodin e Etikës së Gazetarit Shqiptar. Specifikisht, neni 16 i Kodit të Etikës kërkon që marrëdhëniet mes gazetarëve të jenë marrëdhënie solidariteti e konkurrence të ndershme dhe që mediet mos përdoren për rivalitetet e probleme personale a profesionale.” – shkruhet në reagimin e KSHM.

KMSH shprehet se një artikull i tillë është i papranueshme për etikën e gazetarisë në vend dhe u bën thirrje kryeredaktorëve që të mos botojnë shkrime të tilla.

“Ky artikull është i papranueshëm për standardet e etikës së gazetarisë kombëtare e ndërkombëtare. Përveçse një sulmi personal, shkrimi bëhet akoma më i rëndë në kushtet kur gazetarët e Ora News dhe TV Ora, 2 televizione kritikë me Qeverinë Shqiptare janë të rrethuar me policë, nën trysninë e një ekzibicioni dhune nga ana e Qeverisë Shqiptare. KShM u bën thirrje kryeredaktorëve që të mos pranojnë të botojnë shkrime të tilla që dëmtojnë në radhë të parë besueshmërinë e vetë medias që i boton, por, së dyti dëmtojnë rëndë profesionin e gazetarit, nivelin e gazetarisë dhe besimin e audiencës. KShM dhe mediet partnere shprehin solidaritetin me gazetaren Meço dhe me tërë gazetarët e tjerë që janë bërë objekt sulmi kohët e fundit, shpesh për shkak të qëndrimeve të tyre kritike.”