KESH 1.6 mld lekë tendera në 2021: Nga 18, 14 pa garë. Salillari firma përfituese e fondeve më të mëdha

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare në vetëm 3 muajt e parë të vitit 2021 ka prokuruar më shumë se 1.6 miliardë lekë përmes tenderave.

Institucioni nën drejtimin e Benet Becit këto fonde i ka shpërndarë për 18 kontrata, në 14 prej të cilave nuk ka pasur garë.

Largimi nga gara i konkurentëve, shpesh pikërisht ata që paraqesin ofertën më të ulët është fenomeni që konstatohet më shpesh.

Konkretisht ndërmarrja e KESH-it ka vepruar në këtë mënyrë për 11 procedura.

Salillari firma me më shumë fonde
Salillari rezulton firma që ka përfituar fondin më të madh në këtë periudhë.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Punime për mbrojtjen e shpatullës së djathtë mes veprës së marrjes dhe kreshtës së digës në HEC Koman me fond limit 540.9 milionë lekë.

Pjesëmarrëse ishin dy kompani, një prej të cilave u skualifikua me argumentin se nuk plotësonte disa kritere.

Kështu i vetmi në garë dhe automatikisht edhe fituesi mbeti firma Salillari me vlerën e ofertuar 524.6 milionë lekë.

Sipas të dhënave në Agjencinë e Prokurimeve Publike, bashkimi i oepratorëve të skualifikuar kishte ofertuar 50 milionë më pak se fituesi.

Edhe Open Data e ka shoqëruar procedurën me flamur të kuq me shënimin skualifikimi it ë gjitha konkurentëve përveç fituesit.

Në ndërmarrjen e drejtuar nga Beci përjashtim nuk bëjnë as tenderat ku merr pjesë vetëm një kompani, çka i siguron normalisht edhe fitoren.
Kjo formë është konstatuar në 3 prokurime që kapin vlerën e rreth 240 milionë lekëve të reja pa TVSH.

Forma të tilla të përzgjedhjes së fituesit në procedurat tenderuese janë ngritur shpesh si shqetësim në media dhe janë kritikuar edhe nga APP apo institucionet ndërkombëtare, megjithatë SPAK apo KLSH nuk kanë nisur ende asnjë hetim.



Ekonomi Investime salillari Benet Beci tenderat e kesh

EMISIONET