Arrestohet në flagrancë për armëmbajtje pa leje , kundërshtim i punonjësit të policisë dhe dhunë në familje shtetasi Elton Meta, i cili mbrëmjen e djeshme me një armë zjarri kërcënonte se do të vriste veten.

Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike të autorit ndërhyrja e shërbimeve të policisë vendore ishte me rrezik, por edhe të autorit pasi kërcënonte herë pas herë se do vriste veten dhe mos të afrohej njëri në oborrin e banesës.

Falë negociatave të Strukturave të Policisë Vendore Fier, Prokurorit të çështjes dhe ekipit negociator të RENEA-s, Elton Meta u dorëzua.

31-vjeçari u shoqërua në Komisariatin e Policisë Fier për sqarimin e rrethanave dhe kryerjen e veprime të mëtejshme hetimore.

“Pas kryerjes së veprimeve hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. M., 31 vjeç, banues në Peshtan, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Dhunë në familje”. 31-vjeçari, për motive të dobëta kishte shkuar në fshatin Zhupan, në oborrin e banesës së vjehrrit të tij, dhe ka kanosur me një armë zjarri personat që ndodheshin në banesë. Më pas ka dalë në portën e oborrit të banesës dhe kërcënonte se do vriste veten me armën që dispononte. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit kallashnikov, 2 gëzhoja dhe 25 fishekë luftarak.” – njofton policia.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme.