Që nga  muaji mars i këtij viti Shqipëria vazhdon të jetë e mbërthyer nga kriza e pandemisë të koronavirusit.

 Çdo ditë raste të reja së të infektuarëve me Covid-19 janë duke u regjistruar dhe fatkeqësisht dhe numri i viktimave është në rritje.  

Mjekët janë ata që ndodhen në vijën e parë të luftës duke bërë të pamundurën për të shëruar personat e infektuar. Mirëpo, sa mbështetje kanë ata dhe a po ndjek qeveria masat e nevojshme për parandalimin e pandemisë na tregon mjeku Besnik Jakaj i cili ishte i ftuar mëngjesin e sotëm në emisionin “Ditë e Re” në Rtv Ora.

Sipas z. Jakaj duke qenë se jemi një vend i vogël nëse qeveria do të kishte ndjekur një politikë menaxheriale korrekte nuk do të ishim në dorë të zotit tani.

“Shqipëria po të kishte marrë masat e duhura, sepse ne kemi një popullsi të vogël. Në vendet e vogla menaxhimi i pandemive është shumë më i thjeshtë sepse dendësia e popullsisë është shumë më e vogël, risku i infektimit është shumë më i vogël. Ne jemi sa një qytet i Italisë.

Në këto kushte nëse do të ishte ndjekur një politikë menaxheriale korrekte nga pikëpamja shëndetësore ne sot nuk do të ishim përballë një kolapsi apo një krize për kolaps të sistemit spitalor. Përveç faktit  që jemi të papërgatitur pas 9 muajve, sepse janë bërë 9 muaj nga zbulimi i rastit të parë nuk ka asnjë program.

Qeveria ka bërë vetëm propagandë. Përgatitja e masave dhe përballja profesionale dhe shkencore me virusin duhet të jetë e bazuar në shkencë dhe në para në investime. Nuk mund të vetëtrajtohen pacientët në shtëpi. Ne në situatë të jashtëzakonshme kemi dhënë para të zakonshme.

Duhet të ishte proritet siç ka qenë në të gjitha vendet e botës prioritet shëndetësia, të paguheshin mjekët të gjithë mjekët duke filluar nga mjeku i familjes. Përsa i përket organizimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe qeverisë jemi në dorë të zotit. Duhet të bëhen tesime aq sa është e nevojshme“- tha ai.