Aleksandër Toma dhe  Përparim Kalo janë dy emrat mes të cilëve do të duhet të zgjedhë presidenti Ilir Meta për plotësimin e një vendi vakant në Gjykatën Kushtetuese.

Dy kandidatët u përzgjodhën sot nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe brenda ditës pritet ti dërgohen Presidentit.

Ata janë kandidatë për vendin vakant të Kujtim Lulos në Gjykatën Kushtetuese.

“Në datën 23.12.2020, vijoi mbledhjen, sipas rendit të ditës së njoftuar në datë 22.12.2020, në lidhje me miratimin e vendimeve për kandidatët e lejuar dhe miratimin e raportit përkatës mbi listën përfundimtare të renditjes, i cili do t’i dërgohet më pas organit të emërtesës, Presidentit të Republikës së Shqipërisë.Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas diskutimeve miratoi vendimin për pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve të lejuar, Z. Aleksandër Toma dhe Z. Përparim Kalo për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese vakancë e parakohshme,e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018, rishpallur në datën 27.09.2019 dhe rishpallur në datën 24.09.2020, si edhe listën përfundimtare të renditjes së bashku me raportin përkatës.KED do t’i përcjellë këto akte brenda ditës së sotme, pranë organit të emërtesës, Presidentit të Republikës së Shqipërisë” thuhet në njoftimin e KED-së.

Aktualisht Kushtetuesja me emërimin e Altin Binajt, ka 5 anëtarë nga 9 që duhet të ketë në total.

Me përzgjedhjen e Kalos ose Tomës, Gjykata Kushtetuese bëhet me 6 anëtarë, pra funksionale për të dalë në seancë plenare.  

Ndërkohë në KED ka nisur mbledhja për shqyrtimin e kandidaturës së Zhaklina Petos e cila kandidon për vakancën e Besnik Muçit.

Për këtë vakancë janë kualifikuar deri tani Sonila Bejtja, por ende nuk ka vendosur nëse do i dërgohet ky emër presidentit brenda këtij viti për tu zgjedhur si anëtare e 7-të e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese duhet të ketë 9 anëtarë po ky numër nuk mund të plotësohet nëse Gjykata e Lartë nuk ka 17 gjyqtarë që do të zgjedhin 3 anëtarët e mbetur në Gjykatën Kushtetuese nga radhët e gjyqësorit.

Aktualisht janë mbi 300 dosje që presin të gjykohen.

LEXO edhe: Binaj betohet para Metës, KED publikon sot listën për vakancën e Presidentit