Partia Demokratike reagon pasi Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve rrëzoi gjobën prej 75 mijë lekësh që KQZ i kishte vendosur kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në selinë blu, Ivi Kaso, përmes një reagimi shprehet se “sot me një vendimarrje të paprecedent, 3 anëtarët e KAS kanë shkelur rëndë besimin se mbi interesin e partisë në pushtet qëndron ligji dhe vetë rregullat e sanksionuara nga KQZ“.

Ivi Kaso: Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) humbi sot mundësinë për të qenë një strukturë në funksion të garantimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Sot me një vendimarrje të paprecedent, 3 anëtarët e KAS kanë shkelur rëndë besimin se mbi interesin e partisë në pushtet qëndron ligji dhe vetë rregullat e sanksionuara nga KQZ.

Vendimet antiligjore të 3 anëtarëve të KAS bien ndesh me standartin e OSBE për ndarjen e shtetit nga partia, duke justifikuar përdorimin e funksionit publik nga Erjon Veliaj për interesa të Partisë Socialiste.

Partia Demokratike dënon këtë akt të paligjshëm të 3 anëtarëve të KAS, që cënon rëndë standardet e barazisë së palëve në zgjedhje.

Lexo edhe:

“S’mban përgjegjësi për aktivitetet e veta”, KAS i heq gjobën Veliajt

Veliaj ishte ndëshkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me argumentin se nuk ka raportuar aktivitetet që ka zhvilluar në këtë prag fushate.

Por sipas relatorit të çështjes, Koli Bele, Erion Veliaj nuk është përgjegjës direkt për raportimin e aktiviteteve që zhvillon.

3 nga 5 anëtarët e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve votuan pro anullimit të gjobës. Kundër, sipas asaj që mëson Ora News, kanë votuar Ledio Braho dhe Elvis Çefa.

Kujtojmë se ankesa për Veliajn në KQZ ishte bërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Përfaqësuesi i LSI-së tha javën e shkuar se Veliaj kishte shpërfillur parimin e armëve të barabarta që subjektet politike duhet të kenë 4 muaj para datës së zgjedhjeve.

Kjo datë përkon me datën 25 dhjetor, ndërkohë që sipas përfaqësuesit të LSI-së Veliaj kishte kryer aktivitetet edhe gjatë janarit dhe shkurtit.