Trau në Kapshticë këtë të dielë (30 gusht) u ul ende pa lindur dielli

300 personat që arritën të kalonin doganën pritën që prej pasdites së djeshme (29 gusht) me shpresën se nuk do tu skadonte afati i testit të koronavirusit.

Të tjerët u detyruan të qëndrojnë ende me shpresë dhe pa asnjë kusht.

“Ku ta dimë ne. Tani nuk e kuptoj se pse na mbajnë këtu dhe nuk na lejojnë në doganë. Të paktën të presim radhën aty”.

Katër kilometër nga Dogana pranë fshatit Kapshticë policia ngriti një pikë ndalimi për të gjitha automjetet që i drejtoheshin doganës me qëllim mos lejimin për të kaluar dhe evitimin e radhëve të gjata.

“Do presim. Tamponi sot bën 48 orë kështu që e kemi deri nesër.”

Vetëm një natë më parë në këtë pikë kalimi kufitar mbi 150 shtetas kaluan natë në qiell të hapur pasi rrezikonin të humbisnin radhën nëse ktheheshin, pati prej tyre që u kthyen pasi iu mbaroi afati kohor i tamponit.

Ndërkohë që nga situata e krijuar lind nevoja që autoritetet shqiptare të arrijnë një marrëveshje me palën greke për rritjen e numrit të kuotës pasi fakti që është vetëm 300 ka shkaktuar kaos, lodhje dhe irritim në kufi.

“Ndryshe nga dje, këtë të dielë është plotësuar më herët kuota për kalimin. Qytetarët që kanë mbëtur dje të bllokuar kanë kaluar natën në Kapshticë. Në këtë pikë kanë kaluar vetëm ata persona që mbetën të bllokuar mbrëmjen e djeshme teksa shumë qytetarë të tjerë i janë drejtuar sot Kapshticës. Kufiri është mbyllur rreth orës 8:30. Situata në Kapshticë aktualisht është disi problematike. Nuk ka një numër të madh automjetesh, rreth 16 autovetura dhe 3 autobusë të linjës Shqipëri-Greqi. Ka një numër rreth 300 personash të tjerë. Ata presin një përgjigje nga pala greke nëse do të lejohen më kalime të tjera gjatë ditës së sotme ose jo. Përgjigja vonon 3-4 orë. Ditën e djeshme nuk ka pasur tolerime duke respektuar vetëm kuotën prej 300 personash ndaj kjo pritet të respektohet dhe ditën e sotme. Duhet të ketë një komunikim mes dy palëve për të rritur të paktën numrin e kuotës” – raporton gazetari Altin Halili.

Drejtoria vendore e kufirit dhe e Migracionit Korçë ka njoftuar se për ditën e sotme nuk do të ketë më kalime në këtë pikë kufitare.

Policia Kufitare u bën thirrje qytetarëve që të mos nisen drejt kësaj pike duke qenë se pala greke ka pezulluar punën.

Lexoni edhe: Shqiptarët mbeten sërish të bllokuar në Kapshticë, rradha mbi 2 km. Do kalojnë natën jashtë

Lexoni: Kapshticë: U plotësua kuota, dhjetra shqiptarë mbesin në kufi