Një debat mes ish-kryetarit të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa dhe deputetit socialist Spartak Braho, kohë më parë, për krimet e luftës, u finalizua me ndalimin e këtij instituti për ta studiuar këtë periudhë të historisë.

Dje Kuvendi miratoi disa ndryshime në në ligjin nr. 10.242, datë 25.02.2010, “Për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri”, që ndalon institutin të studiojë krimet e luftës.

I ftuar në studion e RTV Ora, përballë gazetares Beti Njuma, studiuesi Erald Kapri e quajti vendimin antikushtetues dhe ajo që ka mbetur, është ankimi i këtij projektligji.

Kapri: Është shumë tragjike, është thuajse në kushtet e një skandali. Çdokush që e ka parë dje seancën u miratua një rezolutë shumë e lavdërushme, e cila dënon Holokaustin, që janë krimet që ndodhën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria merr iniciativën të nderojë Holokaustin, të nderojë viktimat, madje madje të shkojë edhe deri aty sa të ndalojë dikë që ta dënojë Holokaustin. Në Francë përshembull, media është e ndaluar që ta mohojë holokasutin dhe merr përgjegjësi të madhe të bësh një gjë të tillë. Ndërsa tek ato se çfarë kanë ndodhur tek ne, na mohohet. Nuk ka ndodhur kurrë që Kuvendi t’i ndalojë me ligj, që është antikushtetuese, një Instituti, studimin shkencor.

Është thellësisht politike, zgjedhjet po afrojnë. Kjo ishte një çështje që priste prej dy vitesh në Parlament. Ishte një nismë e disa deputetëve të se majtës, të cilët dihet që për qëndrimet e tyre mjaft konservatore, deri diku mjaft prohoxhiste. Ishte një mesazh që deri diku iu dërgohet të gjithë nostalgjikëve të diktaturës në prag të zgjedhjeve. Për t’iu treguar në njëfarë mënyre që ne tani jemi bashkë. Sepse luften, e majta që është sot në pushtet por edhe e majta në përgjithësi, e quan si të shenjtë. E majta e Hoxhizmit, nuk po flasim për të majtën e Nolit. E majta trashëgon lavdinë e luftës dhe kërkon atë që të mos cenohet, të mos preket. Miratimi i këtij ligji është një goditje e kulturës së kujtesës. Çfarë kuptimi ka përshembull, nëse masakrwn e hotelit Bristol, e cila ka ndodhur në vitin 1944, në Tiranë, ku janë vrarë edhe vëllezërit e Musine Kokalarit, ti nuk mund ta studiosh, e ke të ndaluar me ligj. Ndërkohë që po dy muaj pas vrasjes, u bë gjyqi special po në Tiranë, dhe atë po, mund ta studiosh. Pra krimet ndryshokan nga njëri tjetri. Kjo gjë i ndalohet vetëm Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit. Këtë moment kjo qeveri e pa të udhës që ky Institut i cili ka botuar mbi 100 studime që rrëfejnë krimet e komunizmit, të mos flasë asnjë rrjesht për periudhën e luftës.

Kapri: Nuk ndodh në asnjë vend objektin studimor. Është antikushtetuese. Instituti ka në ligj që të studiojë pasojat e komunizmit. Pasojat nisin nga lufta. Atëherë si do t’i studioj unë këto pasoja, kur ti më ndalon të shkoj përtej ose kur ka nisur partia komuniste të veprojë. Krimet kanë ndodhur herët. Dhe çdo studiuesi të huaj po t’i referohemi, diktatura në Shqipëri ishte e egër për shkak se rrënjët i nisi nga lufta.

Njuma: Çfare do të ndodhë me studimet që janë bërë deri më tani nga Instituti?
Kapri: Fatmirësisht nuk kemi ligj me fuqi prapavepruese. Kështu që ato botime mbeten. Mund të aksesohen lirisht edhe në Web-in e Institutit. Fatmirësisht këtij institucioni nuk do t’i ndalohet liria e fjalës, përveçse ajo e studimit nga tani e tutje. Do doja shumë që ky ligj të ankimohet. Institucioni i ka kaluar tashmë në varësi të komisionit të ligjeve. Që mund të ndodhë edhe që t’i cënojë gjithçka vitin e ardhshëm. Mund të ankimojë stafin, personat që punojnë aty. Por kjo varet edhe nga mazhoranca që do të vijë.