Karikaturisti Bujar Kapexhiu, i ftuar këtë të enjtë në emisionin PolitikOn nga Alfred Lela në RTV Ora vizatoi një karikaturë në studio për fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve qendrore të 25 Prillit.

Ai e paraqiti në një formë podiumi me tre vende, ku në të parën vendosi dy përfaqësuesit kryesorë të opozitës kryedemokratin Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhin, ndërsa në të dytin Edi Rama, sipas tij, të menduar për të ardhmen. Dhe në vendin e tretë, për shkak të simpatisë për Albin Kurtin, vendosi Lëvizjen Vetëvendosje.

Kapexhiu: Meqenëse kjo është një garë dhe si në çdo garë janë pikët dhe në këtë radhë janë votat, atëhere unë kam bërë një podium ku dalin fituesit, ashtu siç do të dëshiroja unë, por këtë do ta vendos populli. Ashtu siç e mendoj unë, në podium në vendin e parë është PD dhe LSI-ja, pra opozita. Në vendin e dytë është i ulur me dhimbje për humbjen Edi Rama dhe që mendon për të ardhmen. Dhe në vend të tretë, ndoshta nga një simpati personale për Albin Kurtin unë vendos Vetëvendosjen në vendin e tretë.