Pezullimi i fluturimeve në aeroportin e Rinasit ka krijuar probleme për shumë qytetarë. Prej të mërkurës, në aeroportin e Rinasit presin burra, gra, të moshuar e fëmijë.

Mes atyre që presin ka edhe pasagjerë me fëmijë të vegjël dhe gra shtatzëna të cilët që prej orëve të mëngjesit nuk kanë marrë asnjë informacion se çfarë do të ndodhë me fluturimet që kanë prenotuar.

Lexo edhe- Qeveria jonë kujton se kemi thasë më lekë ne”, Kaos dhe pritje në Rinas, udhëtarët: S’kemi asnjë informacion

Eksperti i trafikut ajror, Dritan Goxhaj, i ftuar në Ora News, akuzon Autoritetin e  Aviacionit Civil për shpërdorim detyre, pasi është përgjegjësi e tij informimi i udhëtarëve mbi zhvillime të tilla, siç është rasti i bllokimit të aeroportit.

Goxhaj: Në të tilla raste, ku është cënuar e drejta e udhëtarëve, Autoriteti i Aviacionit Civil duhet të njoftonte të gjitha mediat dhe nuk ishte nevoja që udhëtarët të shkojnë të presin aty ndërkohë që aeroporti nuk funksionon. Ky institucion nuk po bën detyrën për të cilën paguhet që ta bëjë. Në këtë rast kemi shpërdorim detyre dhe jo në rastin e kontrollorëve.