Në Tiranë ka pasur një shtim të trafikut për shkak të bllokimit të rrethrrotullimit në zonën e ish-sheshit Shqiponja.

Ashtu siç ishte paralajmëruar gjatë ditës së sotme, u bënë disa devijime të rrugëve për të hyrë në kryeqytet, por që prej orëve të para të mëngjesit ka pasur një rritje të trafikut.

Gazetari i Ora News, Besar Bajraktaraj ka raportuar nga ish-zona e sheshit Shqiponja se situata paraqitet po ashtu problematike edhe në mesditë për shkak të rrallëve të automjeteve që futen në kryeqytet.

Trafiku i automjeteve vjen që në autostradë, tek kthesa e Kmazës, për të vijuar  më pas në rrugën e cila është improvizuar për të kaluar në drejtim të Astirit.

Problematike mbetet edhe kryqëzimi i rrugës “Abedin Rexha”, aty ku është vendosur dhe një semafor për të bërë të mundur kalimin e automjeteve që duan të hyjnë në kryeqytete dhe më pas duhet të futen në disa rrugica në drejtim të rrugës “Dritan Hoxha”.

Gjatë ditës së sotme ka pasur trafik edhe në disa rrugë të tjera dytësore, të cilat kalojnë tek shinat e trenit apo në drejtim të Laprakës ku bëhet dhe devijimi i automjeteve.