Në një intervistë për Ora News, deputeti i Partisë Socialiste Ervin Bushati ka folur më shumë për programin për rindërtimin pas tërmetit, ku kryeministri ftoi për t’u bërë pjesë e listave për kandidatë edhe inxhinieres Luljeta Bozo.

Bushati ka thënë se në platformën “Deputeti që duam” kanë aplikuar rreth 10 mijë persona, ndërkohë që sipas tij ftesa ndaj Bozos dhe Çomos ishte për shkak se janë kthyer në simbol të sfidave të fundit.

Bushati: Shumë deputetë apo edhe kolegë të tjerë kanë dhënë shumë kontribute. Vasilika Hysi ka shprehur kërkesën e saj për të mos qenë pjesë më e politikës aktive. Do vazhdojë të jetë pjesë e PS dhe ne vazhdojmë të jemi bashkë në një tryezë për fushatë për të fituar mandatin e ri më 25 prill. Do ketë një rinovim të strukturave të PS si në ekzekutiv ashtu edhe në legjislativ. Do ketë njerëz të rinj. “Deputeti që duam”, platforma që u iniciua me shumë aplikime me rezultate të shkëlqyeshme, ka pasur shumë të rinj që janë përfshirë dhe do të jenë në skuadrën tonë. Di që kanë aplikuar mbi 10 mijë njerëz, nga këto janë përzgjedhur mbi 150 raste që kaluan në një proces seleksionimi. Janë trajnuar dhe kanë pasur mundësinë të shprehin më shumë ambicien një pjesë prej 60 vetash. Vazhdon procesi i seleksionimit. Duke parë harmonizimin e të gjithë qarqeve të Shqipërisë, patjetër i takon kryeministrit si kapiten i skuadrës për të parë se si do të kombinohen. Por është një proces direkt dhe i pastër ku të gjithë ata që janë pjesë kanë kandiduar. Ata që janë përzgjedhur në listën e PS.

-PSe Luljeta Bozo dhe Najada Çomo?

Bushati: Të dyja janë zonja shumë të nderuara dhe simbol i sfidave që kemi pasur në këtë 1 vit e gjysmë, tërmetit dhe pandemisë që nuk ishin nga qeveria, por qeveria ka bërë maksimumin.

Intervista në studio për gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Tea Islamaj.