Të 103 kandidatë të cilët arritën të kalojnë testin e aftësive fizike në garën për oficerë të policisë gjyqësore në Byronë Kombëtare të Hetimit, i janë nënshtruar këtë të hënë testit të esesë.

Faza e katërt zhvillohet për të demonstruar  nivelin e aftësive në shkrim, arsyetimin logjik dhe aftësinë për të artikuluar idetë me shkrim. 103 kandidatët u kualifikuan në fazën tjetër mes 424 personave që konkurruan në testin fizik.

Por për të zgjedhur 60 emrat më të mirë që do të jenë pjesë e FBI-së shqiptare, kandidatët do të kalojnë dhe në faza të tjera vlerësimi.

Pas testimit të kryer këtë të hënë, kandidatët do të vlerësohen për pasurinë. Ata do ti nënshtrohen një vettingu ku do të deklarojnë çdo pasuri që kanë ata dhe të afërmit e tyre. Pas kësaj, kandidatët do të përzgjidhen dhe do ti nënshtrohen testimit të poligrafit ose makina e të vërtetës.

Në përfundim për BKH do të përzgjidhen 60 oficerë, të cilët do të dërgohen në Amerikë për trajnim. Ndërkohë po këtë të hënë procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për hetues të BKH-së është paditur për mungesë transparence si dhe për s’kualifikimin e padrejtë në Gjykatën Administrative.

Një prej aplikantëve ka kërkuar pezullimin e këtij procesi, pasi sipas tij nuk janë përllogaritur mirë pikët në testin fizik, e cila përkon me fazën e tretë të përzgjedhjes së kandidatëve për hetues pranë byrosë. Në ndryshim nga fazat e mëparshme, sipas paditësit, BKH nuk kishte përcaktuar asnjë minimum pikësh për testin fizik.

Gjithashtu ai pretendon se as në faqen zyrtare nuk është publikuar mënyra e mbledhjes së pikëve dhe mënyra e vlerësimit duke mos qenë transparent krahasuar me testin logjik, nuk është pasqyruar mënyra e përzgjedhjes së aplikantëve në testin fizik, duke dëmtuar imazhin e një institucioni që kërkon besimin e qytetarëve dhe do të luftojë korrupsionin në nivele të larta, rezultati i testimit fizik nuk është vlerësuar në moment por 3 ditë më pas.