Kanali i Naunkës i cili përshkon lagjet “1 Maji” dhe “24 Maji” të qytetit të Vlorës prej vitesh mbetet një problematikë shqetësuese për më shumë se 250 familjet e kësaj zone. Ata shprehen se në dimër ky kanal ju sjell përmbyjte në shtëpi, ndërsa në verë ai shndërrohet në një burim infeksioni.

Dy prej lagjeve më të mëdha të qytetit të Vlorës, “1 Maji” dhe “24 Maji” në të cilat banojnë mbi 250 familje janë lënë në harresë dhe prej më shumë se 20 vitesh duke vuajtur të njëjtat problematika.

Kanali i Naunkës përshkon zonën mes për mes, teksa sipas banorëve në dimër përmbyt çdo shtëpi, ndërsa në pranverë kthehet në burim infeksioni.

Qytetarët thonë se i paguajnë të gjitha taksat por nuk po marrin mbrapsht shërbimet e nevojshme.

Për ankesat e tyre premtimet kanë qenë të shumta, por situata ka mbetur pa zgjidhje.

Në planin e infrastrukturës në bashkinë e Vlorës në buxhetin 2020 nuk është parashikuar asnjë fond i posaçëm për rikualifikimin e lagjeve “24 Maji” dhe “1 Maji”, apo investime të reja për rehabilitimin total të rrugës që përshkron këto dy lagje.

Megjithatë ka një fond të posaçëm për pastrimin e kanaleve kulluese dhe ujërave të zeza, i cili nuk parashikon sa herë në vit duhet të pastrohet Kanali i Naunkës.