Alarm i pajustifikuar nga indivië dhe media të caktuara për kultivimin e kanabisit në vend.

Kështu shprehet Policia e Shtetit në një reagim të sajin për mediat, me anë të së cilës thekson se, opinioni publik po bombardohet me pamje filmike të viteve të shkuara.

“Në kapërcim të çdo standardi etik dhe profesional, komentet në disa panele televizive janë “ilustruar” me pamje të parcelave masive të mbjella me kanabis të nxjerra nga arkivat e mediave, pa asnjë shënim, duke tentuar kështu që në rrugë spekulative të përcillen mesazhe të rreme tek opinioni publik”, thotë Policia e Shtetit në reagimin e saj.

Teksa e quan vitin 2020 një vit suksesi, Policia e Shtetit ka edhe një ftesë publike.

“Policia e Shtetit është e gatshme të mbështesë çdo media të interesuar me informacion të saktë lidhur me çështjet e rendit publik, ku përfshihet edhe tentativat për kultivim apo trafikim të kanabisit si dhe mirëpret bashkëpunimin e mediave dhe të aktorëve të tjerë në luftën e përbashkët për përmirësimin e rendit dhe sigurisë publike”, thekson Policia e Shtetit.

Reagim i plotë i Policisë së Shtetit:

Ditët e fundit, është vënë re një aktivizim i pakuptueshëm i disa individëve dhe mediave të caktuara për të krijuar një alarm të pajustifikuar për kultivimin e kanabisit në vend.

Insistimi për të përhapur opinione të pambështetura në realitet, artikulimi i konkluzioneve krejt arbitrare dhe mungesa e çfarëdo fakti apo treguesi objektiv është synuar të mbulohet nga bombardimi i opinionit publik me imazhe filmike të viteve të kaluara.

Në kapërcim të çdo standardi etik dhe profesional, komentet në disa panele televizive janë “ilustruar” me pamje të parcelave masive të mbjella me kanabis të nxjerra nga arkivat e mediave, pa asnjë shënim, duke tentuar kështu që në rrugë spekulative të përcillen mesazhe të rreme tek opinioni publik.

Aq e dukshme është kjo sa mjafton të shihen uniformat e punonjësve të Policisë në këto materiale filmike, për të kuptuar se bëhet fjalë për një periudhë kur Policia kishte uniforma dhe simbole të tjera nga ato që ka sot.

Në të njëjtën kohë, disa protagonistë të këtyre insinuatave nuk kanë treguar asnjë lloj gatishmërie për të ndarë informacion me Policinë e Shtetit lidhur me faktet kriminale të pretenduara, duke penguar kështu hapur përpjekjet për goditjen e veprimtarisë kriminale. Hezitimi për të ndarë informacion me Policinë e Shtetit e rrit edhe më shumë dyshimin për vërtetësinë e pretendimeve të bëra publike.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë edhe me partnerët e saj ndërkombëtarë është e përfshirë në një angazhim shumë serioz për të vijuar goditjen ndaj tentativave për kultivimin e kanabisit në vend.

Në bazë të të dhënave dhe fakteve të administruara nga Policia e Shtetit, rezulton se viti 2020 është një tjetër vit i thellimit të suksesit në luftën kundër kultivimit të kanabisit.

Niveli i kontrollit të territorit gjatë vitit 2020 është rritur ndjeshëm falë edhe kapaciteteve të shtuara të Policisë dhe atyre të vëna në dispozicion nga partnerët.

Në të njëjtën kohë, niveli i goditjes ligjore kundër tentativave kriminale në këtë fushë ka qenë shumë i fuqishëm. Kjo ka bërë që sasia e kanabisit të hedhur në tregun kriminal në vend të arrijnë në nivele shumë të ulëta, ndërkohë që sasia e kapur në vendet fqinje, që kanë qenë tradicionalisht destinacione për këtë veprimtari kriminale, ka arritur në nivelet më të ulëta historike të regjistruara.

Këto arritje të padiskutueshme të Policisë së Shtetit e kanë gjetur pasqyrimin e tyre edhe në raportin e fundit të publikuar nga Komisioni Europian. Të njëjtin vlerësim pozitiv ka marrë Policia edhe nga partnerët e tjerë ndërkombëtarë, që monitorojnë punën e saj.

Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë aktorëve mediatikë, publikë dhe politikë, që të distancohen nga përpjekjet për të hedhur baltë mbi punën e saj, si dhe për të krijuar opinione të gabuara të mbështetura mbi lajme të rreme.

Mediat janë gjithashtu të ftuara për të zbatuar standardet profesionale në dhënien e lajmeve, më qëllim që publikut t’i jepen fakte të verifikuara dhe opinione të bazuara. Insinuatat e papërgjegjshme dhe pamjet filmike të arkivave që “shiten” si pamje aktuale vetëm sa dezinformojnë qytetarët dhe dëmtojnë pa të drejtë imazhin e vendit.

Policia e Shtetit është e gatshme të mbështesë çdo media të interesuar me informacion të saktë lidhur me çështjet e rendit publik, ku përfshihet edhe tentativat për kultivim apo trafikim të kanabisit si dhe mirëpret bashkëpunimin e mediave dhe të aktorëve të tjerë në luftën e përbashkët për përmirësimin e rendit dhe sigurisë publike“.