Klubi i Kukësit njoftoi pak minuta më parë se, trajneri Skënder Gega, i infektuar dy javë më parë me Covid-19, është transportuar me urgjencë drejt Turqisë për shkak të problemeve me mushkëritë.

“Gjendja shëndetësore e trajnerit u rëndua ditët e fundit dhe për një trajtim më të specializuar për mushkëritë, ka udhëtuar drejt Stambollit“, shkruan ndër të tjera FK Kukësi.

Por tre ditë më parë, gjatë një komunikimi me gazetën “Panorama Sport”, ish-trajneri i Kombëtares U21 dhe Partizanit kampion do të pranonte gjendjen e rënduar shëndetësore, përcjell Ora News.

“Prej 13 ditësh shoqërohem nga ethe të forta, temperaturë të lartë dhe me infeksion në mushkëri. Kam preferuar të mjekohem nga shtëpia. Ndihem shumë i lodhur, sepse infeksioni më jep temperaturë. Presidenti Gjici ka insistuar që të shtrohem në spital, por kam zgjedhur të mjekohem nga shtëpia. Ditët në vazhdim do të shikojmë.

Kurrë nuk kam qenë kaq i sëmurë. Uroj që çunat e ekipit që janë prekur të mos kenë shqetësime”.