Zjarret në shtetin amerikan të Kalifornisë kanë djegur deri tani mbi 300 mijë hektarë tokë e pyje dhe autoritetet ende nuk po mundin t’i kontrollojnë.

Të paktën gjashë banorë raportohen të kenë humbur jetën, më shumë se 500 shtëpi e godina të tjera janë rrënuar dhe mbi 175 mijë veta janë detyruar të evakuohen.

Në terren gjenden mbi 12 mijë zjarrfikës, por guvernatori i Kalifornisë, Gevin Njusom, të enjten apeloi Australinë dhe Kanadanë t’i vijnë në ndihmë forcave të shtetit pasi beteja disa javore me flakët masive i ka stërlodhur ata.

“Vatrat janë përqendruar më së shumti në Kaliforninë Veriore, dhe kjo është sfida më e madhe. Situatën e përkeqësuan rreth 12 mijë vetëtimat që na ranë së fundmi në harkun e 72 orëve. I kemi bërë thirrje Kanadasë për mbështetje, dhe njësoj si në 2017-n do vlerësonim edhe ndihmën e zjarrfikësve nga Australia, që shquhen ndër më të mirët në botë.”

Në shtetin jugperëndimor të SHBA-së, mbeten rreth 560 vatra aktive, kryesisht në zonat e largëta malore jugore dhe lindore të San-Franciskos.

Dy prej tyre konsiderohen ndër 7 dhe 10 më të mëdhatë në historinë e vendit, dhe guvernatori Njusom i ka kërkuar presidentit Donald Trump të shpallë gjendjen e katastrofës madhore.

Një ditë më parë, retë e tymit dhe hirit qarkulluan me qindra milje në brendësi të qyteteve, duke e bërë edhe më të rëndë përballimin e një vale të nxehti që ka goditur vendin.

Në mesin e gjithë krizës natyrore, Kalifornia raporton më shumë se 650 mijë të prekur nga koronavirusi, që sipas ekspertëve vendas, tashmë me ajrin e ndotur dhe të nxehtin ekstrem janë më të rrezikuar, veçanërisht të moshuarit dhe ata që vuajnë nga sëmundjet respiratore.