Në një intervistë për RTV Ora, analisti Ilir Kalemaj u shpreh se Meta është presidenti më politik në këto 30 vite pas Berishës.

Ai tha se Meta po balancon pushtetet kur nuk kemi një ndarje pushtetesh, por vetëm një republikë ekzekutive dhe një parlament monokratik.

Ilir Kalemaj: Meta i ka dhënë një stof politik presidencës, ai është presidenti më politik që ka parë vendi qysh pas komunizmit dhe Berishës si ish-president. Mendoj se presidenti po balancon pushtetet kur nuk kemi një ndarje pushtetesh, por vetëm një republikë ekzekutive dhe një parlament monokratik. Nuk kemi institucione të pavarura dhe një gjykatë Kushtetuese tashmë.

Kalemaj theksoi se mazhoranca duhet të plotësojë 15 kushtet e vendosura nga Be, ku reformën zgjedhore e ka së bashku me opozitën.

Ilir Kalemaj: Janë 9 kushte Gjermane, në fakt gjithsej janë 15 kushte si detyra shtëpia për mazhorancën. Ndërsa vetëm reforma zgjedhore është detyrë shtëpie për të dyja palët, ndaj u krijua edhe këshilli politik me opozitën jashtëparlamentare. Ne nuk kemi përmbushur asnjë nga kushtet, natyrisht që është e rëndësishme që të merret edhe mendimi i komisionerëve dhe europalamentarë të BE-së në raport me reformën zgjedhore.

Kalemaj komentoi edhe votimin e kodit zgjedhor vetëm nga mazhoranca, duke u shprehur se nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë do të kemi një minim të procesit të zgjedhjeve.

Ilir Kalemaj: Nëse miratimi i kodit zgjedhor do të bëhet me vendim politik do të ishte një akt i njëanshëm dhe do të prishte konsensusin dhe do të ishte në kundërshtim me miqtë tanë ndërkombëtarë. Po ashtu, do të bënte paragjykimin e procesit zgjedhor pa nisur ende. Si mund të kemi ne një proces zgjedhor të lirë dhe të besueshëm, kur kemi kontestime të tilla në raport me to. Nëse bëhet një votim i tillë në kundërshtim me 5 qershorin, atëherë mendoj se ky proces është i minuar dhe nuk garanton besueshmëri.