Në një intervistë për ‘Ora News’, juristja Adriana Kalaja, tha se televizioni ‘ORA’, ka qenë e pranishme në çdo moment në sheshin e teatrit, dhe se kjo kauzë gjeti hapësirë në këtë media.

Sipas saj, televizionet ‘Ora News’ dhe ‘TV Ora’, janë asete kombëtare, pasi i shërbejnë publikut.

Adriana Kalaja:‘Shpreh mirënjohjen time për televizionin ‘Ora’, pasi ka qenë e pranishme në çdo moment në sheshin e teatrit. Kauza e teatrit ka gjetur hapësirë në televizionin tuaj. Unë nuk dua të bëj avokaten e zotit Ndroqi. Shpreh respektin tim maksimal për investimin që ka bërë në ‘Ora News’ dhe në ‘TV Ora’. ‘Ora News’ dhe ‘TV Ora’ nuk është më pasuri vetjake e zotit Ndroqi. Kjo është një pasuri, aset kombëtar, duke qenë se i shërben publikut drejtpërdrejt. Ajo që ndodhi me televizonin ‘Ora’, realisht më ka prekur si juriste por edhe si qytetare e këtij vendi për të cilat paguaj taksa dhe tatime.”

Në lidhje me mesazhet shantazzhuese ndaj dy televizioneve dhe gazetares Beti Njuma, Kalaja u shpreh se kryebashkiaku Veliaj duhej të jepte dorëheqjen.

Adriana Kalaja:”Duke u rreshtuar në krah të gazetares së mirënjohur Beti Njuma, të cilën e vlerësoj maksimalisht, sepse edhe personalisht por edhe si pjesë e stafit të Orës, ka qenë gjatë gjithë kohës në mborojtjes së teatrit. Më së paku, kryetari i bashkisë duhej të jepte dorëheqjen. Pastaj janë organet e drejtësisë që duhet ta investigojnë.”

Për sekuestron ndaj dy televizioneve, Kalaja mendon se juridikisht është një vendim i gabuar dhe se forcat RENEA brenda oborrit të ‘TV Ora’ dhe ‘Ora News’, ishin demonstrim force për të mbyllur fjalën e lirë.

Adriana Kalaja: ”Në këto kushte, unë mendoj se pa i hyrë mënyrës se si është marrë vendimi për sekuestro, që në këndvështimin tim juridik është i gabuar, është në shkelje të ligjit. Por, edhe ekzekutimi i tij i tejkaloi masat se si duhej bërë ekzekutimi i një vendimi për sekuestro. Pse duhet të ishte e nevojshme ardhja e forcave të RENEA-s? Vetëm specifikojmë mënyrën se ku vepron RENEA, ku duhet të shkojë RENEA dhe nga e merr urdhrin RENEA për të shkuar, atëherë ne e kuptiojmë se kjo është një demonstrim forca nga ana e pushtetit. Unë e shikoj si demonstrim force për të mbyllur gojën, për të vërtetat që i thotë sidomos ky televizion, për të mbyllur fjalën e lirë.”

Intervistoi në studio Siklajda Shorja, përgatiti për online Renato Çaushi.