Deputeti opozitar Ralf Gjoni, i cili nuk do të garojë në 25 prill thotë se këto zgjedhje nuk do të jenë të lira dhe as të barabarta.

Gjoni: Preferoj të mos kem asnjë koment se nuk shoh asnjë vlerë të shtuar apo të hequr nga lista që kam parë deri tani me emrat e PD. Këto nuk do të jenë zgjedhje as të lira dhe as të barabarta, nuk ka garë të barabartë. Nuk kanë rëndësi emrat në listë sa kohë nuk janë pjesë e një gare me lista të hapura. Nëse këta emra do të ishin titanë, luftarakë të qarqeve respektivë dhe këta do të mblidhnin vota, se emrat janë për vota dhe jo për imazh. Mbledhja e votave është më e rëndësishme për PD se PS sot sepse PD është në një disavantazh të qartë.

Gjoni tregon se ka pasur oferta dhe nga partitë e mëdha për tu kandiduar por nuk ka dashur të bëhet pjesë e  një liste me renditje shifrore dhe një liste të mbyllur.

Gjoni: Listat nuk janë të hapura. Nuk e kisha problem të fusja emrin në listat e një prej këtyre partive sepse patjetër që vende ka pasur gjithandej. Të jem i sinqertë ka pasur flirtime dhe nga parti të mëdha. Por nuk kam dashur realisht të jem pjesë e një liste me renditje shifrore dhe një liste të mbyllur për hir të betejës që kam pasur në parlament.

Për “PolitikOn” në Rtv Ora, Gjoni fton zgjedhësit që tradicionalisht kanë bojkotuar tu drejtohen kutive të votimit në 25 prill dhe ti vendosin një kryq fletës.

Gjoni: Unë po mundohem të mbaj një qëndrim gjatë fushatës zgjedhore për të inkurajuar të gjithë ata zgjedhës që nuk shkojnë të votojnë tradicionalisht, të mos bojkotojnë por të shkojnë dhe ti futin një kryq fletës së votimit në shenjë abstenimi për ti treguar kësaj klase politike që këtu ka dhe një 20-30% të shqiptarëve që nuk duan as njërin dhe as tjetrin. Emrat nuk kanë rëndësi. Shumica e militantëve të PS apo PD do të shkojnë të votojnë për partinë dhe nuk do ja japin votën e dytë një kandidati. Rama, Basha dhe Kryemadhi në këto zgjedhje do ti këshillojnë kryetarët e qarqeve që të rekomandojnë zgjedhësit e tyre të votojnë partinë dhe jo kandidatët. Votoni partinë, mos u merrni shumë me emrat.

Gjoni parashikon edhe fatin e partive të reja opozitare, të cilat garojnë secila më vete.

Gjoni: Nuk dua të sulmoj fare zonjën Topalli por le mos të harrojmë se kush ishte kryetare parlamenti në 2008 kur u bë greva e famshme e urisë kundër ndryshimit të sistemit. Ndryshimet kushtetuese të famshme, nuk duhet ta harrojmë. Ilir Meta kacavirrej për të kapur zonjën Topalli për të penguar ndryshimet kushtetuese. Ka shumë emra të vjetër sot në politikë që nuk frymëzojnë shpresë. Frika ime sot është që të gjitha partitë e reja opozitare që do të garojnë të veçuara nga njëra-tjetra dhe jo të bashkuara rrezikojnë të kthehen në presje dhjetore në interes të pushtetit.