Më herët është folur në media për një transferim të mundshëm të Mesut Özil te turqit e Fenerbahçes, por sipas asaj që shkruan torinezja “TuttoSport”, edhe emisarët e Juventus kanë nisur punën për të sjellë në Itali 32-vjeçarin, kampion bote me Gjermaninë në 2014, por që nuk po gjen hapësira te Arsenali i Artetës, raporton Ora News.

Agjenti në punë

Özilit i pëfundon kontrata me “Topçinjtë” në qershor 2021 dhe skuadra londineze nuk dëshiron ta humbasë me parametra zero.

Nga 1 janari deri më 30 qershor mbeten për t’u paguar afërsisht 10 milionë euro, referuar rrogës së futbollistit, ndërsa Juventus mund ta marrë në formë huazimi për gjashtë muaj fillimisht, duke i paguar gjysmën e pagës dhe duke lënë pjesën tjetër te londinezët.

Erkut Sögüt, agjenti turk i lojtarit, po punon në këtë drejtim, shkruan Ora News.

Prej 7 marsit, Özil nuk është pjesë e formacionit të Arsenal, ndërsa te Juventus ai do të rigjente ish shokun e skuadrës te Real Madrid, Cristiano Ronaldo.

Të presim merkaton e dimrit, që hapet më 4 janar, për të mësuar se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e Mesut Özil.

/a.r,OraNews