Kryeministri britanik, Boris Johnson, synon të anashkalojë marrëveshjen e Brexit duke propozuar norma ligjore të njëanshme që rrezikojnë kompromisin me palën europiane. Johnson ka caktuar 5 javë kohë për një marrëveshje të re me Brukselin.

Britania e Madhe ka lënë 15 tetorin si afatin përfundimtar për të arritur një marrëveshje për tregtinë e lirë me Bashkimin Europian, ndryshe paralajmëron tërheqjen nga bisedimet.

Vendi u shkëput nga blloku më 31 janar por palët nuk kanë bërë progres për paktin se si duhet të vijojnë relatat dypalëshe tregtare në mbarim të periudhës tranzitore të divorcit në dhjetor.

Pa këtë marrëveshje, si Britania, edhe BE-ja do detyroheshin të aplikonin tarifa dhe kontrolle doganore ndaj njëri-tjetrit.

Bisedimet që vijojnë të martën kanë ngelur te kërkesa e përsëritur e Brukselit për të pasur të drejta peshkimi në zonën ekskluzive detare të Britanisë, dhe që bizneset angleze të ndjekin rregulloret e BE-së për të mos konkurruar në mënyrë agresive kompanitë simotra europiane.

Por kryeministri britanik, Boris Johnson, këmbëngul për një autonomi të plotë të legjislacionit, rregulloreve dhe pasurive natyrore si çdo vend i pavarur.

Sipas zyrës kryeministrore në Londër, pala britanike është gati ta quajë të mbyllur kapitullin e bisedimeve nëse homologët në Bruksel nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre brenda 15 tetorit, datë që përkon me fillimin e samitit dyditor të 27 liderëve të BE-së.

Boris Johnson mendon se ndarja me unionin pa një marrëveshje do i shkonte më për shtat Britanisë.

Mësohet se ky qëndrim i qeverisë do të paraprihet këtë javë me publikimin e një ligji që e çliron vendin nga një vendimmarrje e dakordësuar më parë nën presion e cila e detyronte të kthente në fuqi pikat kufitare mes shtetit të Irlandës dhe provincës angleze të Irlandës Veriore.

Brukseli ka kërkuar që marrëveshja me Londrën të arrihet brenda nëntorit për t’i dhënë kohë ratifikimit të saj dhe europarlamentarëve që ta shprehin qëndrimin e tyre me votë.

Diplomatët europianë më herët kanë fajësuar palën britanike si shkaktare të ngërçit aktual post-Brexit.