Presidenti i zgjedhur i ShBA-së, Joe Biden e thelloi rezultatin e fitores dhe siguroi edhe shtetin e Arizonës, i cili ka 11 vota elektorale, pothuajse një javë pas 3 nëntorit.

Me fitoren në Arizona, Biden siguron  290 vota elektorale, ndërsa presidenti Donald Trump 217. Sipas rregullave të ShBA-së, që një kandidat të zgjidhet president, i duhen të paktën 270 vota elektorale.

Deri më 12 nëntor, Biden kryesonte në Arizona me 49.4 për qind të mbështetjes popullore. Fitorja e Bidenit në Arizona përmbush qëllimin e demokratëve për ta fituar këtë shtet, që për shumë vjet me radhë kishte qenë nën dominimin e republikanëve.

Demokratët, po ashtu kanë fituar ulësen e Senatit, pasi kandidati i tyre në Arizona, Mark Kelly mposhti senatoren Martha McSally.

Biden është bërë kandidati i dytë presidencial amerikan, në shtatë dekada, që fiton në Arizona. Për herë të fundit zgjedhjet në këtë shtet nga radhët e demokratëve i ka fituar Bill Clinton në garën e vitit 1996.

Pavarësisht se Biden u shpall fitues i zgjedhjeve më 7 nëntor, fushata e presidentit Trump ka nisur betejat ligjore për të përmbysur rezultatin në disa shtete, me pretendimin e pabazuar në prova se ka pasur mashtrime zgjedhore. Gjithashtu pjesa më e madhe e Partisë Republikane nuk e ka pranuar humbjen e Trumpit dhe i mbështet betejat ligjore të presidentit. 

Biden po ashtu prin sa u përket votave popullore, pasi deri më tani ka fituar 5.3 milionë vota. Aktualisht, për shkak të garës së ngushtë në Xhorxhia dhe në Karolinën e Veriut, fituesi në këto dy shtete nuk është shpallur ende.

Ndërkohë Kina iu bashkua pjesës tjetër të komunitetit ndërkombëtar dhe e uroi presidentin e zgjedhur të ShBA-së, Joe Biden.

“Ne respektojmë zgjedhjen e popullit amerikan. I shprehim urimet zotit Biden dhe zonjës Harris”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Wang Wenbin gjatë një konference për mediat të premten.

Presidenti aktual amerikan, Donald Trump, nuk e ka pranuar ende humbjen.