Joe Biden pranon emërimin e demokratëve si kandidat për president

Joe Biden pranon emërimin e demokratëve si kandidat për president

Joe Biden, pas gati një gjysmë shekulli në skenën politike amerikane, të enjten mbrëma pranoi nominimin demokrat për të kandiduar për president të Shteteve të Bashkuara në zgjedhjet e 3 nëntorit, duke u thënë amerikanëve se ishte koha për të larguar Presidentin republikan Donald Trump pas pothuajse një mandati në Shtëpinë e Bardhë.

"Të bashkuar ne mund dhe do ta kapërcejmë këtë stinë të errësirës", deklaroi zoti Biden ndërsa Shtetet e Bashkuara përballen me pandeminë e ashpër të koronavirusit dhe miliona njerëz kanë humbur vendet e punës.

Ai deklaroi se Presidenti Trump "nuk merr asnjë përgjegjësi" për përhapjen e sëmundjes ngjitëse dhe "refuzon të udhëheqë".

"Pas gjithë kësaj kohe", tha zoti Biden, "ky president ende nuk ka një plan" për të luftuar pandeminë. "Ai nuk arriti të mbrojë Amerikën ... dhe kjo është e pafalshme".

Fjalimi i zotit Biden, nga një qendër aktivitetesh në qytetin e tij të lindjes, Wilmington, Delaware, u mbajt në natën e katërt dhe të fundit të Konventës Kombëtare virtuale Demokrate, një koleksion prezantimesh të regjistruara dhe të drejtpërdrejta, që lavdëruan zotin Biden dhe sulmuan presidencën 3-vjeçare e gjysëm të Presidentit Trump.

Presidenti Trump dhe republikanët do të mblidhen në konventën e tyre virtuale katër-ditore kombëtare duke filluar nga e hëna. Por Presidenti Trump, në një vizitë të enjten në Old Forge, Pensilvani, afër shtëpisë së fëmijërisë së zotit Biden në Scranton, dha tregues të sulmeve të ardhshme republikane.

"Nëse doni një vizion të jetës suaj nën presidencën Biden, mendoni për rrënojat e shkrumbuara në Minneapolis, anarkinë e dhunshme të Portlandit, trotuaret me gjak të Çikagos dhe imagjinoni kaosin që vjen në qytetin tuaj dhe në çdo qytet të Amerikës", u tha Presidenti Trump mbështetësve disa orë përpara fjalimit të zotit Biden.

Nëse fiton zgjedhjet e 3 nëntorit dhe inagurohet në janarin e ardhshëm, zoti Biden do të ishte 78 vjeç, presidenti më i vjetër i Shteteve të Bashkuara, duke ia kaluar edhe Presidentit Trump, i cili është 74 vjeç.

EMISIONET