Kryeministri Edi Rama në seancën e parë plenare për vitin 2021, u shpreh se kur të merret doza e dytë, ata që janë të gatshëm mund të bëjnë një transparencë për sasinë e anti-trupave.

Rama tha se ka pasur edhe analistë të rangut të lartë kanë hedhur idenë që kryeministri është injektuar me ujë biologjik.

Rama: Vaksinimi ka 2 efekte; së pari këputjen e zinxhirit të infektimi dhe efektin te vetë personi. Sipas studimeve, rritja e përqindjes të të vaksinuarve sjell një ulje të vazhdueshme të personave të prekur. Kjo na jep mundësi që ta shikojmë me shumë optimizëm 6-mujorin e dytë të këtij viti duke pasur parasysh që procesi do të ecë i patrazuar nga luhatjet me mundshme të kompanisë në furnizim.

Kur kompania do të bëjë furnizimin e parë me 10700 vaksina në vendin tonë, ne do të ndjekim të njëjtin proces si në gjithë vendet e tjera për të hequr sëkëlldinë e tralala-ve të krijuara në media e në rrjetet sociale. Së bashku me ministren në momentin që pjesa e cila ka bërë vaksinën do të rikthehet për të marrë dozën e dytë, ata që janë të gatshëm mund të bëjnë një transparencë për sasinë e anti-trupave.

Kjo për të parë se realisht vaksina është marrë ajo që thuhet dhe vaksina ka bërë gjithë efektin e parashikuar. Është e rëndësishme të thuhet që ka pasur edhe analistë të rangut të lartë kanë hedhur idenë që unë jam injektuar me ujë biologjik. Ky është një nivel analize shumë i lartë për ne njerëzit e zakonshëm, por u duhet dhënë mundësia atyre që i ndjekin këto analiza që të ndjehen të garantuar nga faktet.