Një jaht i llojit velierë është gjetur në det në hapur në afërsi të zonës së Patokut.Mjeti lundrues me flamur sllloven është konstatuar nga Policia Kufitare dy ditë më parë, të cilët i janë afruar dhe nuk kanë parë përsona në bord.

Ata janë larguar dhe e kanë mbajtur nën vëzhgim edhe 24 orë të tjera, por nuk kanë konstatuar asnjë lëvizje.

Mbrëmjen e së shtunës, jahti është marrë nga policia dhe ankoruar në portin e Shëngjinit, ndërsa në lidhje me rastin kanë nisur menjëhere hetimet. Brenda mjetit lundrues turistik me emrin Tai-Pan nuk është gjetur asnje dokument, por dyshohet të jetë nisur nga Greqia me destinacion Malin e Zi.

Për të zbuluar të vërtetën kanë nisur verifikimet me portet e vendeve fqinjeve, ndërsa sipas burimeve jahte të tilla shoqërohen gjithmonë me një gomone dhe mendohet se ajo është larguar që aty para se të mbërrinte policia, çka shton dyshimet se jahti mund të përdorej për trafik droge.

Policia dhe prokuroria e Lezhës po vijojnë hetimet për të zbuluar se kujt i përkiste jahti dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ky është mjeti lundrues i dytë që gjendjet i braktisur në afërsi të Shëngjinit, ku një vit më parë u gjet edhe jahti turk i braktisur në të cilin udhëtonte kapiteni Sezgin Yavuz, i cili vijon të jetë i humbur.

Një tentativë e mundshme e trafikut të drogës nga Shqipëria në Greqi dhe mandej në Turqi, në zonën turistike të Izmirit dhe Antalias, ka qenë pista kryesore ku është fokusuar prokuroria e Lezhës, teksa sot ende nuk ka një përfundim të këtyre hetimeve.