Policia e Lezhës ka arrestuar sërish 50-vjeçaren Vera Preka të cilës me 19 nëntor ju gjetën 1.2 kg kokainë e fshehur brenda lavatriçes, në servisin e ish-bashkëshortit të saj në Ishull-Lezhë i cili ishte i përshtatur dhe si banesë.

Gazetari i Ora News Elvis Hila raporton se ndalimi i Prekës erdhi pas ndryshimit të masës së sigurisë nga Gjykata e Apelit në Shkodër e cila rrëzoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Lezhë që kishte vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për 50-vjeçaren.

Vendimi i shkallës së parë ishte apeluar nga Prokuroria e Lezhës dhe pas shqyrtimit të çështjes Apeli i Shkodrës i dha të drejtë organit të akuzës, i cili referuar provave të paraqitura nga policia, kishte kërkuar që në fillim arrest me burg për Vera Preken.

Por vendimi i shkallës së parë i cili dha një masë më të butë për 50-vjeçaren arsyetohet me argumentin se ajo ishte femër dhe kishte dhe probleme shëndetësore, ndërsa për ish bashkëshortin e saj Ded Marvukaj i cili u arrestua disa ditë më vonë gjykata e Lezhës ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg.

Burri dhe gruaja të cilët rezultojnë të jenë të divorcuar janë vënë nën akuzë për “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, pasi gjatë  një operacioni policor të koduar “Stacioni” në servisin në pronësi të Ded Marvukaj i cili ishte i përshtatur dhe si banesë, u gjetën dhe sekuestruan 1.2 kg kokainë dhe një peshore elektronike.

Lexo dhe:
Çifti i ndarë, tregti droge në Lezhë/ Kapen 1.2 kg kokainë, pranga gruas, ish-burri arratiset

Kokaina në servis, detaje nga operacioni: Gruaja kur pikasi policinë e futi drogën në lavatriçe “për larje”