Italia vendos masa të reja/ Lombardia e katër rajone të tjera rifuten në zona me rrezik të lartë infektimi

Prej datës 7 janar Italia ka hequr regjimin e izolimit gjeografik  anticovid dhe i gjithë vendi është konsideruar zonë e verdhë duke lejuar lëvizjet mes komunave e provincave të ndryshme, me bare e restorante të hapura deri në orën 22 të mbrëmjes.

Por mesa duket koeficienti i lartë i pozitivitetit në nivel popullsie në disa rajone të vendit, ka detyruar Komitetin tekniko shkencor të ekspertëve italiane e autoritetet shëndetësore, të rivendosin një regjim më të rreptë masash anticovid në disa zona.

Me një urdhëresë të firmosur sot nga Ministri italian i Shëndetësisë Roberto Speranza, prej datës 10 janar, pesë rajonet italiane Lombardia, Veneto, Calabria, Regio Emilia e Sicilia do të konsiderohen zona të portokallta e me rrezik infektimi të lartë nga pandemia.  

Kjo urdhëresë vendos në këto territore një limitim lëvizje mes rajoneve, provincave e komunave të ndryshme. Aktivitetet tregtare do të qëndrojnë të mbyllura me përjashtim të dyqaneve ushqimore, farmacive, kinkalerive, gazetashitësve e atyre të higjenës personale. E të mbyllura do të jenë lokalet e restorantet por do të lejojnë të tregtojnë ushqime me transport.

Ora policore do të vazhdoj të zbatohet nga ora 22.00 deri në 5.00 të mëngjesit e do të jenë të mbyllura dhe të gjitha qëndrat tregtare. Ndërsa do të fillojë mësimi vetëm në shkollat e mesme e në kuotën deri në 50% të nxënësve në klasë.

Sipas raportit të fundit të ekspertëve italianë niveli i koeficientit të rrezikut të infektimit në Itali, gjatë javës së fundit është  rritur mbi kuotën e konsideruar kritike. Mesatarisht koeficenti  i infektimit ka arritur në RT 1. 03 ndërsa në Lombardi, është akoma më i lartë, në  RT1.27.

Në nivel kombëtar "pandemia ndodhet në një fazë delikate me një numër në rritje të rasteve të infektimit", raporton Komitetit Tekniko shkencorë pranë qeverisë Conte."

 13 rajone nga 21 që ka vendi kanë kapërcyer nivelin kritik të shtretërve në repartet Covid e në ato të terapisë intesive e 12 rajone konsiderohen në rrezik mjaft të lartë pandemie e 6 rajone të tjera në një rrezik më të moderuar.

Mesatarisht në nivel kombëtar në çdo 100 mijë banorë, rreth 313 është numri i personave të infektuar duke shënuar një rritje në krahasim me një javë më parë kur ky numër ishte rreth 305 të infektuar në çdo 100 mijë banorë. Më preokupuese shfaqet situata në rajonin e Venetos ku numri i të infektuarve është i dukshëm i lartë, e përkatësisht rreth 927 të infektuar në çdo 100 mijë banorë.

EMISIONET