Pas një mbledhje të gjatë të përfunduar pas mesnatës së djeshme, qeveria italiane ka aprovuar dekretin e ri të Këshillit të Ministrave me masa urgjente në betejën kundër pandemisë Covid-19.

Pasi u votua në favor në dy dhomat e Parlamentit italian, kryeministri Conte vendosi të shtyjë deri më datë 15 tetor 2020 gjëndjen e emergjencës shëndetësore kombëtare, e cila ishte parashikuar të merrte fund më 31 korrik 2020.

Dekreti i ri i qeverisë italiane përmban masa specifike për kontrollin e pandemisë në territorin kobmëtar.

Është parashikuar të shtyhen maksimumi me 10 ditë të gjitha masat e limitimit të lëvizjes së personave për e nga Italia, të parashikuar në dekretin e mëparshëm të firmosur më 14 korrik 2020.

Pra deri më datë 10 gusht 2020 do të vazhdojë të qëndrojë në fuqi deri në aprovimin e masave të reja, limitimi i hyrjes daljes në territorin italian të personave që udhëtojnë nga vendet jashtë zonës Schengen, mes të cilave dhe Shqipëria, Rumania e Bullgaria, si dhe vazhdon të jetë në fuqi lista me 16 vende mes të cilave dhe 3 vende ballkanike; Kosova, Serbia e Mali i Zi, të cilave u ndalohet hyrja në Itali e çdo personi që ka udhëtuar apo tranzituar në to.

Në masat urgjente të dekretin të qeverisë Conte janë përfshirë shtimi i personelit mjekësor  në sistemin shëndetësor kombëtar, me mjekë të përgjithshëm e mjekë pediatër, si dhe me punonjës sanitarë.

Gjithashtu janë parashikuar normativa të jashtëzakonshme për prodhimin e maskave kirurgjike e instrumenteve mbrojtëse për të lehtësuar blerjen e instrumenteve shëndetësore të mbrojtjes personale.

Dekreti i ri vendos fuqizimin e asistencës së shtetasve italianë jashtë kufijve e në vështirësi për shkak të pandemisë globale, si dhe masa urgjente për vazhdimësinë e aktivitetit formues në Universitete si dhe në institutet e formimit të lartë muzikor, artistik e koral.