Kompania ajrore italiane Alitalia ka informuar se prej datës 16 shtator e për një muaj rresht do të eksperimentojë udhëtime për pasagjerët që në ditën e nisjes kanë kryer testimet e shpejta me rezultatin negativ nga koronavirusi.

Gjithashtu do të udhëtojnë edhe ata persona që kanë kryer tamponin e certifikuar me rezultat negativ deri 72 orë para ditës së udhëtimit.

Fluturimet do të jenë dy herë në ditë nga Roma në Milano. Alitalia informon gjithashtu se ky eksperimentim mund të aplikohet dhe për fluturime ndërkombëtare e ndërkontinentale. me vendet ku situata epidemologjike është problematike.

Pasagjerët do të mund të kryejnë testimet apo tampone në pikat e caktuar sanitare pranë aeroportit Fiumicino në Romë e aeroportit Linate në Milano duke u paraqitur nga 72 orë deri në  1 orë e gjysëm para hipjes në avion.

Udhëtarët duhet të tregojnë biletën e prenotuar me fluturimet eksperimentale, teserën shëndetësore si dhe deklaratën e vetëdeklarimit të vënë në dispozicion nga autoritetet italiane.

Fluturimet eksperimentale “COVID Free” do të jenë të dispoonueshme nga e hëna në të premte prej datës 16 shtator deri më 16 tetor e në orarin 13.30 e 17.30.

Kjo fazë eksperimentuese do të ndihmojë kompanitë ajrore të aplikojnë kapacitetin maksimal të udhëtarëve që janë testuar negativisht nga koronavirusi.