Një shtetas shqiptar, me precedentë të mëparshëm penalë në shpërndarjen e narkotikëve, ka rënë sërish në prangat e antidrogës italiane.
Ai dyshohet si personi përgjegjës i një laboratori kryesor të ndarjes dhe paketimit të narkotikëve.
61-vjeçari u pikas rastësisht një ditë më parë teksa përditë lëvizte dyshimtas pranë një magazine të braktisur në qytetin e Milanos.
Pas ndjekjes dhe kontrollit fillestar nga oficerët e policisë, të moshuarit iu gjetën doza të vogla kokaine në trup dhe në gomën e një makine të parkuar jashtë, tre telefona celularë dhe 185 euro kartëmonedha.
Por ishte hapja e vetë magazinës që surprizoi skuadrën e agjentëve.
Të fshehura në cepat e dhomës ata gjetën 18,6 kilogramë heroinë, 500 gramë kokainë, disa gramë marijuanë dhe 8 kilogramë e gjysmë substancë të përdorur për prerjen e drogës.
Në laboratorin provizor, 61-vjeçari kishte të gjitha pajisjet për trajtimin e drogave, furnela, tiganë, tenxhere me presion, një shtypëse hidraulike për paketimin e lëndëvë në sasi të vogla.
Në kuti të veçanta u gjetën edhe pako me kartëmonedha me vlerë totale rreth 50 mijë euro.
Përpos magazinës, agjentët gjatë kërkimeve në banesën e shqiptarit sekuestruan 2 mijë euro kartëmonedha të prerjeve të vogla, një peshore dhe blloqet me shënime nga aktiviteti si shpërndarës i narkotikëve.
Gjatë ditës, autoritetet italiane raportuan të tjera raste të shqiptarëve të përfshirë në vepra të ngjashme penale të trafikimit.
Në banesën e një 29-vjeçari u gjetën mbi 5 kilogramë marijuanë me vlerë rreth 50 mijë euro, ndërsa një operacion blic përfundoi me ndalimin e dy shtetasve nga Shqipëria, të cilët në bashkëpunim me italianë dhe rumunë, u gjetën me 26 kg e gjysmë kokainë që në treg do arrinte vlerën 3 milionë euro.